“S’është konflikt dashnorësh”- Nga ministre në të padëshiruarën e PS, Bushati për përjashtimin e Spiropalit: Shfaqje e arrogancës së pushtetit

Analisti Andi Bushati ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Taulant Ndrecës nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste, duke e cilësuar mënyrën se si Edi Rama i trajtoi këto largime si një shfaqje të arrogancës së pushtetit.

Andi Bushati u ndal te mungesa e një shpjegimi nga kryeministri për arsyet që çuan në largimin e Spiropalit, e cila për vite me radhë ka mbajtur poste të rëndësishme shtetërore dhe është promovuar nga vetë mazhoranca si një figurë e suksesshme.

Sipas analistit, nuk bëhet fjalë për një konflikt personal mes Ramës dhe Spiropalit, por për një çështje që lidhet me mënyrën se si kryeministri ushtron pushtetin dhe raportin e tij me qytetarët.

“Problemi është, këtu një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, të paktën në verë deri tani vonë, reagoi kundër arrogancës në pushtet. Kjo gjuhë më duket shembëlltyrë e arrogancës në pushtet. Nuk është puna çfarë bëri Edi me Elisën. Ky nuk është konflikt ish-dashnorësh. Është konflikti i kryeministrit të vendit, që këtë gruan ia ka servirur shqiptarëve në numrin dy të shtetit, pastaj si ministre të Jashtme. Një njeri që për 13 vjet ia ke servirur shqiptarëve si model suksesi, vjen një ditë dhe i thua ik dhe as nuk ndjen detyrimin të bëjë bilanc pse ua kam servirur këtë njeri, dje ishte e mrekullueshme dhe sot nuk bën. Është problem i arrogancës, jo i partisë, por i raportit të qeverisjes me popullin”, u shpreh Bushati në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Analisti kritikoi gjithashtu reagimet e deputetëve socialistë pas mbledhjes së Asamblesë, duke thënë se ata nuk kanë arritur të japin një shpjegim të qartë për vendimet e marra nga Rama. Bushati u shpreh se deklaratat e përfaqësuesve të PS-së ishin kontradiktore dhe sipas tij, nuk dinin të shpjegonin as arsyet e largimit të Spiropalit dhe as procedurat që do të ndiqeshin.

“Kur na the do të diskutojmë këtë temë, dhe jemi me Klosin në studio, pashë emisionet ku kishin qenë deputetët socialistë. Lei Feni do të dridhej nga turpi, se si mund të ketë një gjuhë që ia kalon edhe atij. Pashë edhe Klosin. Nuk është puna se kemi ndonjë kuriozitet për PS, se shqiptarët e dinë çfarë është PS sot, e ka thënë Blushi që 10 vjet para, mos i fol shoferit. Thoshte ajo Muzhaqi, Elisa është më e vjetër se unë, si mund ta komentoj unë këtë? Po të ishte me kriter vjetërsie, nuk duhet të flasë njeri për Saliun se ai është më i vjetri. Pashë një tjetër, thoshte ka filluar procesi i shkarkimit, por ka forume. Në të njëjtën kohë, Klosi thoshte do e shkarkojmë në të ardhmen”, tha analisti.

Në vijim të diskutimit, Bushati u ndal edhe te Erion Veliaj dhe kërkesa e tij për mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

“Folëm edhe për Veliajn. Për Veliajn këta të hidheshin në fyt për shembullin e suksesit. Na i mbanin ato pemët e lalit… Ai thotë dua mocion që të ikë kryetari, dua ta bëj këtë gjë, sepse ky njeri nuk e reformon dot as vendin dhe i bën keq qeverisjes. Prapë gjuhë e drunjtë”, u shpreh Bushati, duke perfunduar. “Ata ditëzinj në Asamble nuk mblidhen për të diskutuar. Ata kanë dalë pa kuptuar se çfarë ka ndodhur, prandaj sillen si Lei Feni. Prandaj sot shohim radhë socialistësh në studio, që nuk dinë të thonë një gjë të thjeshtë, ku gabuan Spiropali, Ndreca apo Veliaj. Janë fyej numërorë topi, që ai që ka marrë…”.