Romani i Metin Izetit “Shpresë për jetë” nuk është histori e një vajze, Shpresës, që kërkon lumturinë jashtë vetes, por histori e një vajze që mëson ta gjejë atë brenda vetes. Shpresa niset nga Tetova si “vajza e Ibrahimit, shoqja e dikujt, shpresa e dikujt”, dhe përfundon si thjesht — Shpresa. Ky ndryshim emri është ndryshimi i gjithë romanit.
Në fillim, bota i duket si një vend që lëviz pa pushim. I fejuari Vegimi ia kishte thënë qartë:
“Njeriu i lashtë ndërtonte tempuj sepse shihte hyjninë në gjithçka; njeriu modern ndërtonte qendra tregtare sepse i shet vetes në gjithçka.”
Njeriu modern, thotë Ibrahimi “është si një kalorës që ka humbur kalin, ai ecën në këmbë dhe mendon se përparon, por në të vërtetë ka humbur shpejtësinë e shpirtit.” Ai “lëviz gjithnjë, por nuk shkon askund.”
Shpresa e kupton se nuk mund të jetojë kështu. Ajo mëson një ligj tjetër të jetës:
“Stuhia nuk i pyet pemët nëse jeni gati… pemët që mbijetojnë nuk janë ato më të mëdhatë, por ato që kanë rrënjët më të thella. Prandaj mos u mundo të jesh i madh – mundohu të jesh i thellë.”
Thellësia kërkon zbrazje.
“Zbrazëtia është formë, forma është zbrazëti.” Njeriu duhet të zbrazet nga egoja, nga nevoja për t’u dukur, që të mbushet me kuptim. Prandaj “perla e zemrës nuk zbulohet duke lexuar libra, por duke e ulur veten në atë thellësi me përulësinë e atij që nuk ka frikë nga errësira.” Kjo është “shkolla e zemrës”, e cila “nuk jep diploma, por jep jetë.”
Në këtë shkollë, Shpresa mëson edhe kuptimin e vërtetë të shtëpisë.
“Shtëpia nuk është një vend gjeografik. Shtëpia është një gjendje shpirtërore.” Djali i saj “ndërtoi pallat, por unë ndërtova shtëpi. Pallati është për t’u treguar të tjerëve. Shtëpia është për të jetuar.”
Prandaj ajo nuk qetësohet plotësisht në këtë botë, “sepse nuk është shtëpia e tij e vërtetë.” Shtëpia e vërtetë, thotë autori është tek Hyjnia, sepse “origjinaliteti i njeriut është në shpirtin e tij, kurse vendlindja e vërtetë e shpirtit është Hyjnia.”
Ky kthim te vetja nuk është ikje.
“Vetmia e lirë nuk është ikje nga të tjerët. Është kthim te vetja.”
Aty Shpresa e kupton se është si naji:
“Unë jam ai naj, i prerë nga kallami i Bozovcës, e shkulur nga toka ku gjyshi im kishte mbjellë pemë.”
Si naji që qan për kallamin e vet, edhe njeriu qan për burimin e vet. Malli i saj nuk është nostalgji, është thirrje shpirtërore.
Në këtë udhëtim, dashuria dhe feja nuk janë më ide, por përvojë. Vegimi dhe Shpresa plotësojnë njëri-tjetrin:
“Ti je mësuar të mendosh gjithçka. Unë jam mësuar të ndiej gjithçka… ti mendon atë që unë ndiej, dhe unë ndiej atë që ti mendon.”
“Sepse “mendja na tregon sesi funksionon bota. Zemra na tregon se pse ekziston. Pa zemër, ne jemi si kompjuter – shumë informacione, zero kuptim.”
Në letrën e tij, Vegimi i shkruan të vërtetën më të thellë tëë romanit: “Feja nuk është një ideologji, por një gjendje. Besimi nuk është një përgjigje, por një rrugë. Dashuria nuk është një ndjenjë, por një vendim që merret çdo mëngjes.” Feja, pra, “nuk është për të ikur nga realiteti, por të qëndrosh në të pa u thyer.” Dhe ta njohësh Zotin “nuk do të thotë të dish gjithçka për Të. Të njohësh Zotin do të thotë të ndjesh se je i njohur prej Tij.”
Dashuria e Shpresës provon se “dashuria nuk ka nevojë për prezencë fizike, ka nevojë për kujtesë.” Sepse, siç i kishte lexuar Vegimi nga Rumi, “dashuria nuk është të shikosh njëri-tjetrin, por të shikosh së bashku në të njëjtin drejtim.”
Edhe vdekja e humb frikën e saj. “Çdo ndarje është një lloj vdekje. Por edhe çdo pritje është një lloj ringjallje.”
Ibn Arabiu e thotë bukur:
“Vdekja është ura që lidh krijesën me të Vërtetin.”
Shpresa e shkruan në ditarin e saj:
“Vdekja nuk është armik… Të dyja janë dyer. Njëra hyrje, tjetra dalje. Dhe ne jemi vetëm kalimtarë.” Prandaj jeta përmblidhet thjesht: “Të duash, të falësh. Të mos mbash inat, të thuash të vërtetën, dhe të mos kesh frikë nga vdekja. Pjesa tjetër – puna, paraja, mendimet e të tjerëve – janë si pluhuri në rrugë.”
Në fund, Shpresa e kupton se lumturia “nuk është vend, është gjendje”, se “lumturi nuk është të kesh, por të jesh.” Ajo mëson të jetojë “në mes, në atë pikë takimi ku hija kujton dritën dhe drita e bën hijen të dukshme.” Dhe aty e kupton të vërtetën e fundit: “Ti je mali dhe ti je malli, Ti je kodra dhe ti je ngjitja. Kërkimi dhe i kërkuari janë një.”
Të jesh “perla e vulës”, “do të thotë që pa ty, vula nuk ka kuptim.” Shpresa nuk është më vajza që kërkon kuptimin. Ajo vetë është bërë kuptimi.
Burimi: Botasot
