GazetaMax
Lajme

Sindikatat thonë se punonjësit janë të rrezikuar nga masat e Qeverisë

Shkup, 13 Tetor – Sindikata e Punonjësve të Administratës Publike në Maqedoninë e Veriut ka thënë se Qeveria, sipas saj, po përgatit masa që janë në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune dhe marrëveshje kolektive. Sipas saj, Qeveria po planifikon dërgimin e shumicës prej punonjësve publikë në pushim të detyrueshëm, por edhe suspendimin e marrëveshjeve kolektive, që, sipas sindikatës, do të nënkuptonte uljen e pagave.

Vendimi, nëse miratohet, do të përfshinte të paktën 20.000 punonjës të administratës, ndërsa veç uljes së pagave, propozimi parasheh edhe heqjen e pagesave për punën shtesë për punonjësit e Policisë, të Agjencisë së Zbulimit, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, por edhe punën nga shtëpia apo online.

Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Administratës Publike, tha se çështjet që janë ngritur nga sindikata, jo që nuk janë shqyrtuar, por ka ndodhur e kundërta, janë propozuar masa që dëmtojnë interesin e punëtorëve në kushte të krizës së rëndë ekonomike.

“Në këtë mbledhje nuk kishte asnjë pikë që kërkohet nga ne në gjashtë muajt e fundit. Nuk ka asgjë nga metodologjia për rritjen e pagave që ishte shpallur me pompozitet nga Qeveria. Nuk ka asgjë nga kontratat e reja kolektive që parashikojnë rritjen e pagave. Ne vend që të avancojmë me ngritjen e statusit të punëtorëve, këtu ndodh e kundërta”, thotë Deanoski.

Nga kjo sindikatë, sikurse dhe nga Konfederata e Sindikatave të Lira, thonë se masat e këtilla do t’i kundërshtojnë me të gjitha format e mundshme, ndërsa akuzojnë Qeverinë se kur bëhet fjalë për të drejtat e punëtorëve, bëjnë gjithçka për moszbatimin e tyre duke drejtuar gishtin edhe nga Parlamenti se po i zvarrit zgjidhjet ligjore.

“Kur diçka nuk u konvenon, atëherë dalin mbi deputetët duke bërë interpretime të ndryshme të ligjeve dhe, në anën tjetër, kur diçka duhet të miratohet, atëherë thonë se faji nuk është i tyre por i deputetëve dhe thonë se duhet të kërkoni llogari prej tyre… Punëtorët janë ata që më së shumti po pësojnë në këtë kohë të rëndë të krizës ekonomike. Ne nuk do të heshtim në kërkesat tonë të drejta”, thotë Bllagoja Rallpovski, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira.

Por, nga Qeveria thonë se nuk bëhet fjalë për vendim, por për një sugjerim, pasi sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, në kushte krize nuk ka nevojë për llogaritje, por për masa efikase për përballje me krizën.

“Kjo vlen për të gjithë, për të gjithë sektorët publikë. Janë dhënë këshilla se çfarë duhet të bëjnë pushteti qendror dhe vendor, si dhe ndërmarrjet publike dhe shoqëritë aksionare. Këto sugjerime nuk i drejtohen askujt personalisht. Gjithçka që po bëjmë ka të bëjë me mënyrën e kursimit në këtë periudhë të rëndë ekonomike. Nuk është dokument dhe me këtë nuk synojmë të dëmtojmë askënd, por të hartojmë një metodologji të pagave që do të jepte rezultate gjithëpërfshirëse”, thotë ai.

Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski kishte deklaruar se Qeveria do të shqyrtojë edhe mundësinë e uljes së pagave të disa punonjësve në ndërmarrjet publike, të cilët, sipas tij, marrin paga më të larta se mesatarja.

“Menaxherët e këtyre ndërmarrjeve duhet t’i ulin shpenzimet e punës së tyre dhe t’i rrisin të ardhurat e kompanive që menaxhojnë. Një nga mënyrat është edhe ulja e pagave në ato sektor që janë më të larta se sa mesatarja, pasi vlerësojmë se në kushte të krizës ato duhet të ulen”, kishte thënë Kovaçevski pas mbledhjes së Qeverisë, më 10 tetor, kur u miratuan masa në vlerë prej 360 milionë eurosh.

Nga këto masa do të përfitojnë kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët, institucionet arsimore dhe shëndetësore, por edhe biznese të caktuara.

Related posts

Përparim i UCM-së në rang listën e SCIMAGO në vitin 2022

Gazetamax.mk

Ujërat fekale derdhen në liqenin e Ohrit

Gazetamax.mk

Përmes Shqipërisë arrin në Ukrainë kontigjenti i ri i dronëve Bayraktar

Gazetamax.mk