GazetaMax
Lajme

Komisioni Evropian kritikon Maqedoninë për agjendën e gjelbër, duhen ndryshime të mëdha

Shkup, 14 tetor – Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël. Për të zbatuar masat për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në rajonet Lindore dhe Verilindore, si dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një ligji për klimën, në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

Në Raport nënvizohet se vendi ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe se është arritur njëfarë progresi në drejtim të mbrojtjes së natyrës dhe ndryshimeve klimatike, duke përfshirë hartimin dhe miratimin e Planit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Galiçicës. Megjithatë, siç thekson Raporti, zbatimi mbetet një shqetësim në të gjithë sektorët.

Sipas Komisionit Evropian, kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.

“Nuk ka përmirësim në zbatimin e Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis, me mangësi, veçanërisht në proceset e konsultimit publik dhe në cilësinë e raporteve. Mungesa e transparencës dhe aksesit në informacion vazhdon të jetë problem”, citohet në Raport.

Për sa i përket ndotjes së ajrit, në Raport citohet se pavarësisht progresit të arritur, cilësia e ajrit mbetet problem madhor në qytetet e mëdha. Është zhvilluar Programi për Reduktimin e Ndotjes së Ajrit dhe në gusht dhe tetor të vitit 2022 ka filluar përgatitja e katër planeve për cilësinë e ajrit, së bashku me pesë inventar të ndotësve të ajrit. Në komunën e Berovës dhe Prilepit janë vendosur dy stacione monitoruese për cilësinë e ajrit të ambientit dhe janë ndërruar instrumentet matëse të disa stacioneve matëse ekzistuese, thuhet në Raportin e KE-së.

Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, në Raport theksohet se është miratuar Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve (2021-2031).

“Plani Kombëtar i Parandalimit të Mbetjeve (2021-2027) është hartuar, por nuk është miratuar ende. Kanë filluar aktivitetet për ndërtimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve në disa rajone. Futja e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet verilindore dhe lindore është vonuar edhe më tej për shkak të qëndresës së komunës së Sveti Nikoles për të vendosur një objekt qendror për menaxhimin e mbeturinave. Kanë filluar aktivitetet për mbylljen e deponive pa leje në rajonin lindor. Strukturat rajonale të menaxhimit të mbetjeve nuk janë ende plotësisht funksionale. Selektimi i mbetjeve dhe instrumentet ekonomike për të nxitur riciklimin, ripërdorimin dhe parandalimin e mbetjeve mbeten të kufizuara. Aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë së vogël në OHIS kanë përfunduar dhe pastrimi ka filluar”, citohet në Raport.

KE-ja thekson gjithashtu se Qeveria ka përfshirë ngritjen e infrastrukturës për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza si një nga masat e reformës strukturore në Programin për Reformat Ekonomike 2022-2024, por theksojnë se shpejtësia e hartimit dhe zbatimit të projekteve të mëdha mbeten sfidë.

“Është arritur përparim i mirë në mbrojtjen e natyrës. Përqindja totale e zonave të mbrojtura është rritur në 13.9 për qind të territorit të vendit”, citohet në Raport.

Në gusht të vitit 2021, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i dha vendit dy vjet shtesë për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit. KE vlerëson se zbatimi i rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim dhe reagim më të fortë nga autoritetet kombëtare dhe lokale.

Për sa i përket mbrojtjes civile, në raport theksohet se zjarret në pyje dhe kriza e Kovid-19 kanë nxjerrë në pah nevojën e forcimit të kuadrit ligjor dhe kapaciteteve institucionale të autoriteteve të mbrojtjes civile.

Lidhur me ndryshimet klimatike, Komisioni Evropian vuri në dukje se kapacitetet mbeten të dobëta si në aspektin e burimeve njerëzore ashtu edhe në aspektin e burimeve financiare, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra.

Related posts

Maqedonia feston “Shën Klimentin e Ohrit”, delegacion kuvendor dhe qeveritar do të vendosin lule te busti i tij

Gazetamax.mk

Struga vazhdon të përballet me problematikën e qenve endacak

Gazetamax.mk

Bislimovski: Do të përpiqemi maksimalisht që të mos kemi shtrenjtim të rrymës

Gazetamax.mk