Shkup, 1 dhjetor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, në margjinat e Takimit ministror të OSBEs-së, realizoi takim me Viktorija Nuland, Nënsekretaren për Çështje Politike në Departamentin amerikan të Shtetit.
Osmani dhe Nuland, siç njofton MPJ-ja kanë biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së të cilat vazhdimisht pasurohen e në veçanti iu referuan rezultateve të para konkrete Dialogut Politik të mbajtur së fundmi.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi dhe aleanca në kuadër të organizatave multilaterale, siç janë NATO dhe OSBE, nën prizmin e vështirësive të reja botërore, të shkaktuara nga agresioni i paprovokuar rus ndaj Ukrainës.
Në kuadër të OSBE-së, Osmani e informoi Nulandin për prioritetet e presidencës së ardhshme, me çka theksoi se përveç luftës në Ukrainë, si prioritet numër një, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rajoneve të tjera të krizës, duke i forcuar më tej misionet paqëruajtëse të OSBE-së në terren.
“OSBE mund të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme, për qetësimin e tensioneve, forcimin e parashikueshmërisë dhe revitalizimin e kanaleve të komunikimit dhe dialogut. Të gjitha palët duhet ta njohin dhe plotësisht ta shfrytëzojnë potencialin e kësaj platforme”, theksoi Osmani.
Osmani mes tjerash, paralajmëroi koordinim të ngushtë me ShBA-në, si dhe me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse të OSBE-së, gjatë realizimit të aktiviteteve në vitin e ardhshëm, për t’iu dalë në ndihmë kategorive më të ndjeshme të njerëzve.