Shkup, 1 dhjetor – Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane dhe kryenegociator me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, sot në Bruksel do ta hapë skriningun dypalësh për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe vlerat fundamentale”.
Siç bëri të ditur SÇE-ja, gjatë dy ditëve të ardhshme, grupi i punës për negociata, përgjatë 24 prezantimeve, do ta prezantojë pozicionin dhe nivelin e harmonizimit të sistemit juridik të Maqedonisë së Veriut në lidhje me të drejtën evropiane në sferën e gjyqësisë, politikës kundër korrupsionit, të drejtave themelore, të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe të drejtat e qytetarëve të BE-së, para ekspertëve të Komisionit Evropian.
Pjesë e ekipit të negociatave nga Maqedonia e Veriut është edhe sekretarja shtetërore në Sekretarin e Çështjeve Evropiane dhe zëvendëse e kryenegociatorit me BE-në, Drita Abdiu Halili, ndërsa anëtarë të grupit të punës për negociata janë përfaqësues të Kabinetit të zëvendëskryeministrit përgjegjës për Politika të Qeverisjes së Mirë, nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, nga Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Prokuroria Publike, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia e Kadastrës dhe Patundshmërive dhe Sekretari i Çështjeve Evropiane.
Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat fundamentale” i mbulon sferat e gjyqësisë, politikës kundër korrupsionit dhe të drejtat fundamentale. Parimet evropiane për të drejta fundamentale janë konfirmuar në Konventën për të drejtat fundamentale e cila me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës është juridikisht e detyrueshme për vendet anëtare. Në këtë sferë fokusi i Bashkimit Evropian është vendosur në luftën kundër diskriminimit, racizmit dhe ksenofobisë, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të mbrojtjes së grupeve vulnerable, siç janë fëmijët, gratë dhe pakicat, informojnë nga Sekretariati i Çështjeve Evropiane.
Kapitulli 23 bashkë me Kapitullin 24 – liri, siguri dhe drejtësi, janë ndër kapitujt më kompleks, ndërsa dinamika e bisedimeve në këtë sferë ndikon ndaj progresit në aspektet e tjera të bisedimeve me BE-në.