Shkup, 1 dhjetor – Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në panel-diskutimin “Bazat e integrimit evropian: Qeverisja e së drejtës dhe reformat e zbatuara” në kuadër të Sesionit të pestë plenar të Konventës kombëtare për BE-në në Maqedoninë e Veriut, që mbahet në Kuvend, i pyetur për atë se si përballemi si shtet me kanosjet hibride, veçanërisht nëse merret parasysh fakti se shumë shkolla kanë marrë alarme për mjete të vendosura shpërthyese, tha se në këtë kontekst janë edhe alarmet për vendosjen e mjeteve shpërthyese në shkollat e mesme të Shkupit dhe se në MPB çështja është duke u trajtuar me seriozitet maksimal.
“Dëshiroj të theksoj se këto denoncime nga ana e MPB-së trajtohen me seriozitetin maksimal dhe ndërmerren të gjitha aktivitetet: pasi të kryehet evakuimi, sigurohet një perimetër mbrojtës dhe i qasemi kontrollimit antiterror të objekteve dhe të rrethinës, gjatë së cilës trafiku kufizohet dhe zhvillohet nëpër rrugë të tjera. Mund të them se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është ndonjë përjashtim për sulme të këtilla hibride, të ashtuquajtura paralajmërime të rrejshme për bomba. Përkundrazi, në një lloj të këtillë të sulmeve në mënyrë masive janë ekspozuar edhe vendet fqinje – si për shembull: Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, kurse nga ato më të largëta, si Zelanda e Re, Kanadaja, SHBA-të, Gjermania, etj. pa dallim për kërcënimet e shpeshta, Ministria çdo kërcënimi i përkushton një profesionalitet dhe seriozitet maksimal”, tha ministri Spasovski.
Me qëllim të përgjigjes më të mirë në këtë pyetje, ministri Spasovski e ceku sjelljen e disa dokumenteve strategjike për siguri kompjuterike, siç janë Strategjia nacionale për siguri kompjuterike, Strategjia për ndërtimin e rezistencës dhe ballafaqimin me kërcënimet hibride, Strategjia për kriminalitet kompjuterik. Gjatë kësaj, potencoi se faktori kyç është bashkëpunimi i fuqishëm ndërkombëtar dhe shkëmbimi i shpejtë i informatave ndërmjet vendeve dhe agjencive për zbatimin e ligjit.
“Dëshiroj të theksoj se gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 është regjistruar rritje e kriminalitetit kompjuterik në vendin tonë për 48 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kurse dëmi material i shkaktuar është për dhjetë herë më i madh në krahasim me vitin e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i veprave të regjistruara pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve janë zbardhur 76 vepra, me të cilën është arritur efikasitet i përgjithshëm prej 67 për qind, i cili është rritur për 10 për qind në krahasim me vitin 2021”, informoi ai.
Në lidhje me pyetjen se në cilat kanale për bashkëpunim policor ndërkombëtar jemi të përfshirë dhe për pjesëmarrje në EMPAKT (Platforma Evropiane Multidisiplinore Kundër Kërcënimeve Kriminale), ministri Spasovski së pari theksoi se për tërë periudhën prej kur ai është në pozitën e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, tërë kohën e potencon dhe e vë theksin në bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Për këtë qëllim, me BSP-në-Sektori për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar është pika e vetme për shkëmbim zyrtar të informatave me të gjitha kanalet për bashkëpunim policor ndërkombëtar: INTERPOL-in, EVROPOL-in, SELEK-un si dhe oficerët e huaj policorë të akredituar në vendin tonë. Me këto agjenci kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm, të cilën e konfirmuam edhe në takimet e përbashkëta në periudhën e kaluar”, potencoi ministri Spasovski, duke shtuar se një nga produktet më të rëndësishme, gjatë punimit të të cilit me kontributin e saj mori pjesë MPB-ja gjatë tërë viteve të kaluara, është Raporti për vlerësimin e kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe serioz në UE, i cili i jep themelet në bazë të të cilave Këshilli i BE-së i harmonizon prioritetet në fushën e krimit të organizuar dhe serioz. Në lidhje me pjesëmarrjen e RMV-së në EMPACT në vitin 2022 ministri Spasovski theksoi se në krahasim me vitet e kaluara, shënojmë një përparim evident.