Shkup, 5 dhjetor – Maqedonia e Veriut shtet kandidat për të hyrë në BE që 17 vite, tani më gati se është në prag të marrjes së datës për fillim të negociatave. Por, ajo që shihet se pengesë janë krimi dhe korrupsioni, gjyqësia e pareformuar, por krahas këtyre problemeve që po pengojnë këtë rrugëtim, ka edhe shumë çështje tjera që mund të konsiderohen të parëndësishme por që realisht luajnë rol të madh në familjen evropiane. Mbase, kjo problematikë më shumë prek pushtetin lokal, por nuk duhet të përjashtohet edhe mundësia e krijimit të një strategjie kombëtare për sa i përket menaxhimit dhe kontrollit të qenve që janë me ose pa pronar. Tetova kohëve të fundit ka qenë qyteti për të cilin është raportuar më së shumti që ka problem serioz me qentë endacak, shkruan Zhurnal.
Rreziku nga qentë endacak-
Kur flasim për një shtet kandidat për në BE, në të njëjtën kohë flasim për një problematik që cenon sigurinë e qytetarëve krijon rrezik edhe kur qarkullojnë në lagjet e tyre nga prezenca e shtuar e qenve endacak, kjo është pakuptimtë, sepse nuk mund të jetë një shtet anëtarë i familjes evropiane po që nuk është në gjendje të menaxhojë dhe kontrollojë qentë endacak.
Rreziku nga qentë endacak është i pakontrollueshëm sepse ka pasur raste të shumta që kanë përfunduar edhe me vdekje e lëndime të rënda, sidomos kur ka sulme të qenve ndaj fëmijëve e të moshuarve. Mungesa e një strategjie për menaxhim të qenve krijon pasiguri dhe pasoja të rënda edhe kur lëndimet mund të jenë të lehta, sepse kemi të bëjmë me qenë që janë të pa vaksinuar dhe që mund të bartin sëmundje të ndryshme.
Nga lëndimet e lehta fizike deri te vdekja mund të jenë pasojat e kafshimit të qenve që secili qytetarë mund të jetë viktimë potenciale, si pasojë e mos kujdesit të duhur të autoriteteve përgjegjëse. Prandaj, në vend se të jepet ndihmë për kujdes ndaj viktimave duhet të merren masa parandaluese që mos të vijë deri te situatat e tilla që të kemi viktima, e këtë gjë nuk duhet ta shpik Maqedonia e Veriut sepse e ka të gatshme nga shtetet tjera, ajo që duhet bërë është të ketë vullnet dhe brengosje për qytetarët.
Me qentë endacak kohëve të fundit është përballur Tetova-
Rreziku nga qentë endacak vazhdon të jetë problem i madh në qytete të ndryshme e posaçërisht, për qytetarët e Tetovës. Ata vazhdimisht raportojnë në polici raste të ndryshme kur sulmohen nga qentë endacak. Së fundmi një qytetarë ka thënë se prej më së paku se brenda tri javëve është sulmuar pesë herë, ndërsa të njërit rast janë publikuar edhe video. Ai thotë se këto raste i ka paraqitur në komunë.
“Kam pasur edhe pesë sulme tjera. Njëri nga sulmet është në videon që është publikuar. Rastin e kam paraqitur në polici, por më kanë thënë që nuk janë kompetent për të reaguar dhe se duhet të drejtohem te Komuna. Kam procesverbal nga institucionet e Komunës më 3 tetor që e kam paraqitur, por deri nga 3 tetori deri më 19 tetor që është dita kur e ka bërë denoncimin ka pasur edhe pesë sulme tjera”, ka thënë qytetari.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaruar se, edhe përskaj përpjekjeve të shumta që bën kjo komunë për t’u përballur me problemin me qentë endacak, është e vështirë që problemin ta zgjidhin vetë. Ai ka thënë se, mungesa e strategjisë shtetërore dhe mosbashkëpunimit e vështirëson edhe më shumë zgjidhjen e kësaj problematike.
Qentë endacak shkaktojnë probleme edhe në Dibër-
Problemi me qentë endacak vazhdon të jetë prezent edhe në Dibër. Pushteti vendor ka përshpejtuar aktivitetet me qëllim që problemi me qentë endacak të zbutet. Këshilli ka sjell program për kontrollin e popullimit të qenve endacak në zonën e Komunës së Dibrës për vitin 2023. Qëllimi kryesor i programit është kontrolli i rregullt i qenve endacak në përputhje me normat ligjore me qëllim që qentë të mos shkaktojnë frikë por edhe kafshime ndaj qytetarëve. Aktualisht ka një rritje të numrit të qenve endacak edhe përkundrejt masave që ka ndërmarrë Komuna për organizimin e kontrollit të popullimit të qenve endacak.
Ndryshe, Komuna Dibër ka angazhuar një kompani e cila merret me kapjen e qenve endacak dhe trajtimin e tyre në përputhje me ligjin. Ndër aktivitetet që janë ndërmarrë deri tani sipas koordinatorit Ylldrit Bomova, është evidentimi i qenve endacak duke vendosur një qafore me ngjyrë, depistimi dhe vaksinimi kundër sëmundjeve infektive, vendosja e mikroçipit për monitorim, etj.
Por, nuk janë vetëm këto dy qytete në Maqedoninë e Veriut që kanë probleme me qentë endacak, probleme të ngjashme ka pasur edhe në Çair, ku shumë fëmijë janë kafshuar rrugës për në shkollë. Pastaj, ka pasur edhe akuza nga kreu i Tetovës, Kasami, i cili ka thënë se qentë endacak po lëshohen në Tetovë nga qytetet tjera. Kjo tregon që kemi të bëjmë me një çështje që domosdoshmërish kërkon përpilimin e një strategjie kombëtare, që sa më parë të parandalohet dëmet që mund të shkaktohen nga kjo pakujdesi e autoriteteve përgjegjëse. /Zhurnal.mk