GazetaMax
Lajme

Mariçiq: Mbështetje për anëtarësim në BE kemi

Shkup, 7 dhjetor – Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, sot bashkë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska – Stojçevska, realizoi takim me ministren federale të BE-së dhe Kushtetutës së Republikës së Austrisë, Karolin Edshtadler, në kuadër të vizitës së punës në Austri.

Siç informojnë nga SÇE-ja, në takim nga ana e Edshtadlerit ishte konfirmuar mbështetja që në vazhdimësi Republika e Austrisë ia jep Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane dhe për zbatimin e agjendës së reformave.

“Austria është vend i cili e njeh orientimin e vërtetë dhe të padyshimt të Maqedonisë së Veriut drejt vlerave dhe idealeve euroatlantike, ndërsa detyra jonë mbetet në periudhën që vijon ta mbajmë vendin në rrugën evropiane dhe në mënyrë të përshpejtuar të punojmë në arritjen e këtij qëllimi të rëndësishëm, i cili do të kontribuojë për sigurinë dhe prosperitetin e vendeve të rajonit në tërësi”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq.

Përfaqësuesit qeveritarë në takim, siç është bërë e ditur në kumtesë, e ndanë qëndrimin me ministren federale për BE të Austrisë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e saj.

“Ministrja federale për BE-në dhe Kushtetutën e Republikës së Austrisë, Karoline Edshtadler e ndan me neve vizionin dhe qëllimin e njëjtë: Maqedonia e Veriut dhe rajoni duhet të jenë pjesë e BE-së sa më shpejtë”, shkruan Mariçiqi në profilin e tij në Fejsbuk.

Kovaçevski dhe Edshtadler shprehën kënaqësinë e tyre të ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve, e cila shprehet edhe në mbështetjen e padyshimtë të Austrisë ndaj procesi eurointegrues  të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, nga ana e bashkëbiseduesve u konstatua se Maqedonia e Veriut është një partner kredibil i BE-së, i cili mund të kontribuojë me sukses në zhvillimin e politikave më të rëndësishme evropiane dhe ka kapacitet të veprojë së bashku me BE-në dhe t’u përgjigjet sfidave me të cilat përballet e gjithë Evropa.

Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimit të marrëdhënieve tradicionalisht të mira mes dy vendeve, në fushën e kulturës, energjisë dhe aktiviteteve reformuese të ndërlidhura me axhendën e gjelbër.

Austria është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm, me të cilën në dy dekadat e gjysmë të fundit jemi dëshmitarë të bashkëpunimit të shkëlqyer dhe rezultateve të arritura në zbatimin e shumë projekteve në sektorët me rëndësi të madhe për zhvillimin e vendit, si mbrojtja e mjedisit, efikasiteti energjetik dhe hapja e vendeve të reja të punës, njoftojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Related posts

Tre të arrestuar për sulmin fizik ndaj kryetarit të Haraçinës

Gazetamax.mk

Bruno Ceka mbledh bashkë gjeneratën e parë të Shkëndijës

Gazetamax.mk

Kriza tregon dhëmbët, pas 19 muaj në Tetor regjistrohen 1429 të papunë

Gazetamax.mk