GazetaMax
Lajme

ASH del me propozime të reja për sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit

Shkup, 8 dhjetor – Ushtruesi i detyrës kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në selinë e partisë mbajti konferencë për media në prag të Ditës Ndërkombëtare për Luftë kundër Korrupsionit – 9 Dhjetori, me qëllim, siç tha, të ngritet vetëdija për korrupsionin dhe të theksohet roli i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, i ratifikuar nga Maqedonia e Veriut në vitin 2007. Ai tha se sipas indeksit të Transparensi Interneshënëll në vitin 2007, në luftën kundër korrupsionit shteti ishte në pozitën e 84-t në votë, ndërsa tani në vendin e 87-të.

Në vitin 2007 ishim në pozitën e 84-t në botë në luftimin e korrupsionit sipas indeksit të Transparency International. Sot gjindemi në pozitën e 87-të, ndërkohë që kemi thyer rekorde në 5 vitet e fundit duke arritur deri në pozitën e 111-të, krahas një vendi si Mongolia në Azinë lindore apo Etiopia në Afrikën lindore.

Pra, Maqedonia e Veriut, në vend se të shënonte progres në luftimin kundër korrupsionit për t’u afruar me standardet e shtetit të së drejtës evropiane, ajo ka falimentuar dhe dezertuar nga lufta botërore kundër korrupsionit. Gjatë këtyre viteve madje, kemi fituar epitete të reja zyrtare, të denja për autokracitë më të egra në botë, sikur se “shtet i kapur” sipas Komisionit Evropian apo “regjim hibrid” sipas Freedom House.
Si dhe pse ndodhi kjo gjë? Arsyeja e parë dhe thuajse e vetmja se pse kemi ardhur deri në këtë pikë është e thjeshtë. Dhe kjo është pandëshkueshmëria e korrupsionit të nivelit të lartë përmes partizimit të sistemit të drejtësisë. Kur ata që udhëheqin me institucionet kryesore të vendit që janë garantueset e demokracisë japin shembullin se gjyqtari dhe prokurori mund të blihet, të frikësohet dhe të udhëzohet për të penguar zbatimin e ligjit, atëhere çfarë presim nga të tjerët në një vend që është ndër më të varfrit në Evropë?

Tani që vendi është në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, nuk guxojmë të vazhdojmë me avazin e vjetër të reformave kosmetike që ngelin vetëm në letër. Është dëshmuar me valët e ndryshme të zgjerimit të BE-së se shteti i së drejtës është gurë themeli i demokracisë, prosperitetit dhe i zhvillimit. Gabimet që ndodhin në këtë fazë tejet delikate, do të kenë pasoja të thella dhe afatgjata në përafrimin e vendit me shtetin e së drejtës evropian, por edhe për vetë funksionimin e Bashkimit Evropian. Mungesa e shetit të së drejtës paraqet rrezik edhe për investimet ekonomike të patnerëve tonë evropianë dhe amerikanë, të cilët presin që gjykata e Tetovës ta zëmë të jetë po aq e besueshme sa ajo e Frankfurtit për të mbrojtur intereset e investitorëve gjermanë.
Njoftimi i djeshëm për mbërritjen në Shkup të ekipit të sanksioneve të SHBA-ve për të hetuar politikanët e korruptuar, u mirëprit me shumë shpresë nga të gjithë qytetarët e vendit. Ky është një ndryshim paradigme më se i domosdoshëm të cilin e kemi pritur për shumë vite.

Por kjo nuk mjafton. Ne jemi vend i vogël dhe njihemi me njëri-tjetrin. Secili prej nesh e di se kush ishin dhe çfarë standardi jetese kishin politikanët para se të gëzonin pushtetin. Pra, të korruptuarit njihen me emër dhe mbiemër.

Për të çrrënjosur korrupsionin duhet ndalur dhe zhbërë njëherë e mirë partizimin dhe kapjen sistematike të gjyqësorit nga politika. Qytetarët tanimë e kuptojnë se sistemi gjyqësor është në tërësi në shërbim të pushtetit dhe kundër interesit të shtetit dhe të qytetarëve. Andaj, vetëm 8% prej tyre besojnë në drejtësinë e vendit. Me të drejtë, sepse të gjithë tanimë e shohin për vite me radhë se si drejtësia është bërë selektive dhe padrejtësia rregull, siç u vërtetua edhe këto ditë me anulimet e njëpasnjëshmë të seancave për tragjedinë e spitalit të Tetovës apo uljen e dënimeve të Mijallkovit.

Metodat e gjyqësorit të kapur janë të njohura. Ato fillojnë qysh në fazën fillestare të hetimeve duke anashkaluar sistemin elektronik për shpërndarje të rastësishme të rasteve. Pra të korruptuarit e nivelit të lartë kujdesen që rasti ku preken interesat e tyre të shkojë në tavolinën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të tyre që pastaj të njëjtit të sabotojnë rastet përmes trukeve siç janë: mospërmbushja e afateve për të filluar shqyrtimi i aktakuzës; stërzgjatja e procedurave për të vjetruar rastet; rifillimi i gjykimeve nga fillimi; mungesa e personave prania e të cilëve është e domosdoshme për punën e gjykatës; dhe përbërje jo e tërësishme e këshillit gjyqësor.

Andaj, lufta kundër korrupsionit në vendin tonë merr kuptim vetëm nëse i bëjmë një shok terapi gjyqësorit dhe angazhohemi të gjithë për të vendosur shtetin e së drejtës.

Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet me tërë kapacitetet e saj për të sjellur një pako për shtetin e së drejtës dhe luftë të pakompromistë kundër korrupsionit. Kjo pako do të përmbajë minimalisht elementet në vijim:

  1. Ligj për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
  2. Ligj për Zyrën për Rikuperimin e Pasurive, përgjegjëse për konfiskimin e aseteve kriminale;
  3. Një pako legjislative për moralizimin e jetës publike, përfshirë një Ligj për vetingun e integritetit dhe pasurisë së personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, përfshirë në arsimin e lartë dhe në shëndetin terciar, si dhe një Ligj për parandalimin e nepotizmit nga deputetët, ministrat, drejtorët e agjencive shtetërore dhe ndërmarrjeve publike si dhe zyrtarëve të lartë komunal;
  4. Dyfishimin e investimeve publike në gjyqësor, në prokurorinë publike dhe në institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit.

Siç e ka thënë Presidenti Biden vitin e kaluar kur e vendosi luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare së SHBA-ve, “Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm qeverisje e mirë. Është vetëmbrojtje. Është patriotizëm dhe është thelbësore për ruajtjen e demokracisë dhe së ardhmes sonë.”
Andaj, u bëj thirrje të gjitha palëve, përfshirë partive të pushtetit dhe atyre opozitare, si dhe partnerëve tonë ndërkombëtarë, mediave dhe shoqërisë civile, që të ulemi dhe të diskutojmë bashkë ide të reja dhe gjithëpërfshirëse për të ruajtur të ardhmen tonë të përbashkët. Tani është koha për veprime konkrete dhe të guximshme karshi shtetit të së drejtës dhe luftimit të korrupsionit. Ndryshe nuk bëhet evropianizimi i vendit.

Aleanca për Shqiptarët

Related posts

Lista europiane/ Maqedonia e Veriut e 42 nga shkalla e vdekshmërisë, Serbia e para e ndiqet nga Rumania, Bullgaria…

Gazetamax.mk

Osmani: Kryesia e zgjedhur është inkluzive në të gjitha bazat

Gazetamax.mk

Kujdes/ Mjegull në disa akse rrugore

Gazetamax.mk