Prishtinë, 11 Dhjetor – Kreu u Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, duke thënë se sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës, janë goditje e rënde mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.
Haradinaj në Facebook, ka shkruar se luftëtaret ne Ballkan janë kapitull i mbyllur, ndërsa Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane.
Postimi i plotë:
Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.
Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!
Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!