Shkup, 12 dhjetor – Përmes sistemit elektronik për inspektim që mundëson lidhje dhe funksionim elektronik të të gjitha 28 shërbimeve të inspektimit që janë nën kompetenca të Këshillit inspektues, jo vetëm që forcojmë kapacitetet e të gjitha shërbimeve inspektuese, por mundësojmë edhe efikasitet më të madh të tyre në punë, koordinim më të mirë dhe e gjithë kjo në interes të qytetarëve, theksoi zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska.
Në prezantimin e sotëm të platformës “E-inspektor”, softuer përmes të cilit inspektorët do të mund të marrin lehtësisht dhe shpejt të gjitha të dhënat nga institucionet e tjera që u nevojiten për të kryer dhe përfunduar procedurën e inspektimit në mënyrë cilësore, zëvendëskryeministrja theksoi se në këtë mënyrë, përmes autonomizimit të plotë në procesin e shpërndarjes, kontrollet e shërbimeve të inspektimit, eliminohet qasja subjektive dhe faktori njerëzor në rastet e inspektimit që është me rëndësi të veçantë në heqjen e të gjitha dyshimeve për punë subjektive dhe uljen e mundësive të korrupsionit.
Shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Andi Aranitasi në takim theksoi se me mbështetjen e BERZH-it, inspektimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut u afrohen praktikave dhe standardeve më të mira të Bashkimit Evropian.
Daniela Rendevska, kryetare e Këshillit inspektues të RMV-së tha se përfitimet e këtij sistemi, siç tha ajo, “janë shumë më të mëdha për subjektet e mbikëqyrjes se sa për vetë inspektorët dhe shërbimet inspektuese”.
Ajo informoi se për momentin Këshilli inspektues është në negociata me Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që të mundësohet qasje në Gazetat zyrtare në mënyrë që të gjithë inspektorët të mund t’i përdorin.
Nga këshilli inspektues për MIA-n informuan se pilot faza e parë e sistemit E-inspektor i cili zbatohet me mbështetjen e Projektit të USAID-it për modernizimin e shërbimeve inspektuese ka përfunduar plotësisht. Në shkurt të këtij viti filloi zbatimi i fazës së dytë. Qëllimi është zhvillimi i moduleve për përfshirjen e 13 shërbimeve të reja të inspektimit. Këto janë Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Pyjor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Transportit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, Inspektorati i Inspektimit Teknik, Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit dhe Urbanizmit, Inspektorati Shtetëror Komunal, Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve, Inspektorati Shtetëror i Vetëqeverisjes Lokale dhe Inspektorati Shtetëror Devizor.
Me projektin e shpallur si mjet në luftën kundër korrupsionit premtohet edhe një qasje e drejtë, pra subjektet që respektojnë ligjet dhe paguajnë taksat, nuk do të ngarkohen me kontrolle të rregullta të vazhdueshme. Të gjitha dokumentet e nevojshme do të sigurohen në mënyrë elektronike. Do të mundësohet kryerja e inspektimeve të përbashkëta dhe të koordinuara nga disa shërbime inspektimi në të njëjtën kohë.