GazetaMax
Lajme

Në cilat raste mund të shkarkohet një kryetar komune?

Shkup, 16 dhjetor – Me ligjin për vetëqeverisje lokale rregullohen këto çështjet që kanë të bëjnë me kompetencat e komunës, pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në marrjen e vendimeve, përcaktimi i gjuhëve zyrtare në komuna dhe çështje tjera me rëndësi për vetëqeverisjen lokale. Komuna është njësi e vetëqeverisjes lokale, si bashkësi e banorëve të një territori të caktuar, e përcaktuar me ligj, e cila përmes organeve dhe përmes administratës si dhe veprimtarive të organizuara publike, mundëson kryerjen e kompetencave të përcaktuara me ligj. I pari i komunës është kryetari i cili zgjidhet apo buron nga zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes votimit të drejtpërdrejt të secilit qytetarë që ka të drejtë vote në vendbanimin e tij gjatë zgjedhjeve lokale. Por, pas zgjedhjes së kryetarit pasi të ulet një person në karrigen e kryetarit a nënkupton se është i palëvizshëm nga ai pozicion?, cilat janë rastet e mundshme që një kryetar komune mund ose duhet të ndërrohet, vetëm përmes dorëheqjes apo i njëjti edhe mund të shkarkohet?, shkruan Zhurnal.

Zgjedhja e kryetarit të komunës dhe kompetencat e tij-

Kryetari i komunës zgjidhet çdo katër vite në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë në përputhje me ligjin me të cilin rregullohen zgjedhjet lokale. Kompetencat e kryetarit të komunës janë të shumta, ai përfaqëson dhe prezanton komunën, kontrollon ligjshmërinë e dispozitave të këshillit, siguron kryerjen e punëve të cilat me ligj i janë deleguar komunës, propozon buxhetin vjetor të komunës dhe llogarinë vjetore të buxhetit të komunës, zgjedh drejtorë të veprimtarive publike që i ka themeluar komuna, në bazë të konkursit publik, sjell rregullore për sistematizimin e vendeve të punës të administratës komunale.

Kryetari komunës gjithashtu udhëheq me administratën komunale, vendos për punësimin, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e të punësuarve në administratën e komunës. Kryen punë të tjera të përcaktuara me ligj dhe me statutin. Janë edhe një sërë kompetencash që i delegohen kryetarit të zgjedhur që të jetë i pari i komunës, që janë të rregulluara posaçërisht me ligj që të jetë e përcaktuar limiti i veprimtarisë së kryetarit mos të dalë jashtë kornizave, të përmbush obligimet dhe mos të veprojë në kundërshtim me kompetencat e tij.

Çfarë thotë ligji për vetëqeverisjen lokale për sa i përket ndërprerjes së punës ës kryetarit të Komunës?

Kjo çështje është e rregulluar me nenin 54 të ligjit për vetëqeverisje lokale. Kryetarit të komunës i ndërpritet mandati sipas fuqisë së ligjit: nëse paraqet dorëheqje; – në rast vdekjeje; – nëse me vendim të plotfuqishëm është i dënuar për vepër penale me dënim me burg në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj; – nëse me vendim të plotfuqishëm i merret e drejta e aftësisë për punë; – nëse paraqitet gjendja e pa përputhshmërisë për kryerjen e funksionit në pajtim me Ligjin për zgjedhje lokale.

Në rast të mungesës të paarsyeshme më gjatë se gjashtë muaj dhe nëse pushon të jetë banor i komunës. Anëtari i këshillit që e zëvendëson kryetarin e komunës, në afat prej 15 ditësh nga dita e paraqitjes të njërit nga rastet që mund të ndodhin është i obliguar për atë ta njoftojë ministrinë kompetente për punët që i përkasin vetëqeverisjes lokale. Ministria kompetente për kryerjen e punëve që përkasin vetëqeverisjes lokale, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të njoftimit e njofton Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila në afat prej një muaj nga dita e pranimit të njoftimit, konstaton se është paraqitur njëri nga rastet që kanë ndodhur dhe njëkohësisht inicion procedurë për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune, në përputhje me ligjin.

Këshilli, në afat prej 30 ditësh nga dita e shpalljes së vendimit të qeverisë do të zgjedh një nga anëtarët e këshillit i cili do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës për periudhën deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrë siç zgjidhet kryetari i këshillit. Anëtarit të këshillit i pushon funksioni anëtar i këshillit në kohën e kryerjes së detyrës së kryetarit të komunës. Zgjedhjet nuk do të mbahen nëse deri në periudhën e re zgjedhore ka më pak se gjashtë muaj.

Kjo nënkupton që një kryetar komune mund të shkarkohet vetëm në raste kur mungon më shumë se gjashtë muaj pa arsye, kur ndryshon vendbanimin, kur është i dënuar për vepër penale dhe me kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj, nëse nuk e kryen punën në përputhje me ligjin, si dhe nëse me vendim të plotë i merret aftësia për punë. Ndërkaq, ndërrohet në raste vdekjeje dhe kur deponon dorëheqjen vet kryetari.

Çfarë parasheh neni 28 në ligjin për vetëqeverisje lokale?

Neni 28 i ligjit për vetëqeverisje lokale parasheh referendumin ku qytetarët përmes referendumit mund të vendosin për çështje nga kompetencat e komunës, si dhe për çështje të tjera me rëndësi lokale. Këshilli është i obliguar të shpall referendum me kërkesë të më së paku 20% të zgjedhësve në komunë. Këshilli mund të shpall referendum për çështje nga kompetencat e veta me iniciativë të vet. Vendimi i dalë nga referendumi është obligues për këshillin. Kjo nënkupton se me anë të një referendumi gjithë popullor qytetarët në rajone lokale mund të vendosin për shumë çështje që janë në interes të vendit të tyre, e posaçërisht në dobi të tyre.

Por, në asnjë nen tjetër nga ligji për vetëqeverisje lokale nuk parashihet e drejta e qytetarëve që me anë të një peticioni të shkarkojnë kryetarin e komunës, e shkarkimi i tij mund të ndodhë vetëm në rastet e sqaruara më lartë dhe sigurisht kuptohet kur kemi raste të vdekjeve apo kur vet kryetari jep dorëheqje që nuk ka të bëjë asgjë me shkarkimin. /Zhurnal.mk

Related posts

Platforma për barazi gjinore: Qasja në shërbimet e shëndetit riprodhues duhet të garantohet edhe në kohë krize

Gazetamax.mk

Zendeli: Nuk kemi kapacitet për të luftuar vetë korrupsionin, duhet ndihmë ndërkombëtare

Gazetamax.mk

Bartësi i listës së Frontit Europian në njësinë e III-të, Prof. Dr. Sylejman Baki takoi banorët e Velesit

Gazetamax.mk