GazetaMax
Lajme

Digjitalizimi i gjyqësorit: Ka pajisje, por jo edhe kuadro

Shkup, 3 janar – Digjitalizimi i sallave të gjyqit, ndërveprueshmëria, gjegjësisht marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave dhe dokumenteve, por edhe deficiti i kuadrit të informatikës në organet e drejtësisë mbesin sfidë për sistemin gjyqësor edhe në vitin 2023.

Mjete digjitale që përmirësojnë transparencën dhe efikasitetin në punën e gjykatave gjatë vitit të kaluar morën vetëm pesë gjykata. Për digjitalizimin e 186 sallave të shpallura të mbetura në 34 gjykata, nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë në pritje të pjesëmarrjes së shtetit. Qeveria, nga ana tjetër, nuk iu përgjigj pyetjeve të MIA-s në lidhje me këtë deri në publikimin e tekstit.

Bëhet fjalë për sallat e gjyqit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, Gjykatën Themelore Civile në Shkup, si dhe gjykatat themelore në Kavadar, Strumicë dhe Shtip, të cilat janë pajisur në kuadër të planit operativ për digjitalizimin e drejtësisë, me përkrahje të Misionit të OSBE-së në Shkup.

Ky ishte hapi më i madh në digjitalizimin e gjyqësorit vitin e kaluar, për të cilin ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski, tashmë në fillim të vitit 2022, në shkurt, deklaroi se digjitalizimi në sektorin e drejtësisë mbetet prioriteti kryesor që do të vazhdojë për t’u punuar.

Digjitalizimi në sistemin gjyqësor “mbetet” prioritet kryesor edhe në vitin 2023, ndërsa MIA ka shqyrtuar zhvillimet në këtë fushë dhe ka kërkuar përgjigje nga institucionet kompetente për atë që është premtuar, çfarë është bërë dhe çfarë ende nuk është realizuar.

Nga 186 salla gjyqi në 34 gjykata, pesë u digjitalizuan plotësisht brenda një viti

Në pyetjen se kur planifikohet të realizohet digjitalizimi i plotë, nga Ministria e Drejtësisë u përgjigjën se procesi i digjitalizimit të sallave të gjyqit është tërësisht i varur nga donatorët ndërkombëtarë dhe pritet edhe pjesëmarrja e vetë shtetit.

“Realizimi i pajisjes së 186 sallave të gjyqit në 34 gjykata është projekt i cili realizohet me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Shkup, ku për shkak të vëllimit dhe kompleksitetit të procesit nga donatori, pas një procedure të zbatuar më parë, ekspertët e tyre kanë vizituar të gjitha sallat dhe gjykatat, përgatitën një analizë dhe specifikim të plotë për nevojën e pajisjes dhe digjitalizimit të të gjitha sallave të tjera të gjyqit në 34 gjykata. Duke marrë parasysh vëllimin e të gjithë materialit dhe analizën e bërë në këtë proces, është e nevojshme që shteti të përcaktojë pjesëmarrjen e tij, e cila konsiston në sistemimin e integruar të sallave të gjyqit dhe në çdo moment presim realizimin e pjesës së mëtejshme të projektit për pajisjen e sallave të gjyqit. Gjithashtu theksojmë se në fazë janë negociatat për modelin e qëndrueshmërisë së pajisjeve, si një nga segmentet kyçe para aderimit të pajisjeve dhe marrëveshjes për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe resurseve që duhet të shfrytëzojnë pajisjet”, thonë prej atje.

Në Samitin evropian për digjitalizim të gjyqësorit, i cili u mbajt në qershor të vitit të kaluar në Ohër, Tupançeski informoi se në vitin 2022 janë planifikuar 130 milionë denarë për digjitalizim në gjyqësor.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se në përputhje me dinamikën e digjitalizimit të gjykatave, për blerjen e serverëve të rinj për të gjitha 34 gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor janë shpenzuar 90 milionë denarë, ndërsa me 20 milionë denarë është bërë blerje publike grupore e kompjuterëve, printerëve dhe skanerëve për të gjitha 34 gjykatat dhe për Këshillin Gjyqësor.

Lidhur me njoftimin se Norvegjia do të dhurojë 6.8 milionë euro për një sistem të ri AKMIS, për një gjyqësor më të pavarur dhe transparent, thonë se aktivitetet rreth donacionit të paralajmëruar janë duke vazhduar me Këshillin Gjyqësor Norvegjez.

Gjykatat po digjitalizohen, nuk ka kuadër të informatikës

Kuadrot informatike për punë janë një nga sfidat më të mëdha për digjitalizimin e gjyqësorit. Gjykatat shpesh ankohen për numrin e pamjaftueshëm të kuadrit të trajnuar që do të mund ta kryente këtë proces sa më mirë, ndërsa faktin se kuadrot që punojnë me teknologjinë e informacionit janë deficitar, e konfirmoi edhe Ministria e Drejtësisë.

“Përdorimi i teknologjisë informatike është një proces që kërkon njohuri shtesë dhe të specializuara, veçanërisht në fushën e përdorimit të platformave të përshtatshme për realizimin e gjykimeve onlajn. Në gjyqësor, nuk ka një platformë të standardizuar të gjykimit onlajn që do të unifikohej dhe përdorej nga të gjitha gjykatat. Fatkeqësisht, përqindja e kuadrit që punon në teknologjinë informatike dhe që ka njohuri minimale për kryerjen e gjykimeve onlajn është shumë e vogël, veçanërisht sepse sistemi FEMIDA kërkon njohuri shtesë për përdorimin e tij”, thonë prej atje.

Komisioni Evropian, i cili vuri në dukje në raportin e tij vjetor se Këshilli për Digjitalizimin në Gjyqësor intensifikoi punën për zbatimin e strategjisë së TI-së dhe përmend pesë gjykatat pilot që morën pajisje të TI-së të ofruara nga donatorë të huaj, thotë se angazhimi i kuadrit shtesë të TI-së varet nga ofrimi i kushteve të punës që janë konkurruese me ato në sektorin privat.

Gjykata Themelore Penale Shkup, Gjykatat Themelore Shkup, Strumicë, Shtip dhe Kavadar janë pesë gjykatat që janë pajisur në kuadër të planit operativ për digjitalizimin e gjyqësorit, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup. Katër prej tyre ankohen për kuadër të pamjaftueshëm të informaticientëve.

Nga Gjykata Themelore Civile Shkup thonë se ka filluar procesi i pajisjes së sallës digjitale dhe pasi që ky proces ende nuk ka përfunduar plotësisht, në këtë gjykatë ende nuk ka gjykime onlajn. Nga atje thonë se Gjykata e zbaton me sukses sistemin operativ AKMIS në punën e saj, por edhe se nuk kanë kuadër të mjaftueshëm për të punuar në fushën e teknologjisë informatike, si dhe nuk kanë kuadër të mjaftueshëm – shërbim gjyqësor ( të çdo profili), nga aspekti i kryerjes së punës si organ gjyqësor, duke pasur parasysh kompetencën e tij.

Në njërën nga sallat e gjykatave penale, si një nga pilot gjykatat, Gjykata Themelore e Strumicës deri më tani ka instaluar një komplet pajisjesh për regjistrim audio dhe video të seancave.

“Pas instalimit të pajisjeve ka pasur probleme të vazhdueshme si me harduerin ashtu edhe me softuerin (nuk ka softuer regjistrimi të licencuar dhe nuk është i lidhur me AKMIS). Gjyqtarët dhe daktilografët ende nuk janë të njoftuar mirë me mënyrën e përdorimit të kësaj pajisjeje dhe duhet të lidhen me AKMIS-in që të mos u krijohet punë shtesë”, thonë prej atje.

Ata shtojnë se aktualisht kanë një informaticient, i cili, siç shprehen ata, nuk mjafton për realizimin e aktiviteteve të nxitura nga digjitalizimi dhe gjykimi onlajn.

Përveç pajisjes së sallës 23 të gjyqit si pjesë e projektit Digjitalizimi i sallave të gjyqit në pesë gjykata themelore me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, Gjykata Themelore Penale informon se paraprakisht, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, është hapur Qendra për Media në Gjykatën Penale, si e para dhe e vetmja qendër e tillë në një institucion gjyqësor, me mbështetje financiare të Ambasadës Amerikane.

“Në tetor të vitit 2019, të gjitha sallat e gjyqit në Gjykatën Themelore Penale Shkup janë pajisur me pajisje audio incizuese, ku gjykohen lëndët nga Departamenti Penal – për të rritur, krim të organizuar dhe korrupsion. Pajisja e përgjithshme është në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurave gjyqësore, duke pasur parasysh se mundësojnë paraqitjen audio-vizuale të provave, regjistrimin e seancave, dëgjimin e dëshmitarit të kërcënuar/mbrojtur si dhe gjykimin në distancë, gjegjësisht lidhjen vizuale-zanore, lidhje me institucionet e tjera”, theksojnë nga atje.

Sa i përket kuadrit informatik, nga Gjykata Penale thotë se gjykata tashmë disa herë ka theksuar se stafi i TI-së në gjykatë është deficitar dhe nevojiten më shumë mjete dhe hapje të pozitave të reja, për të cilat, siç thonë ata, tashmë i jemi drejtuar institucioneve kompetente”.

Nga Gjykata Themelore e Kavadarit, gjykata e parë që u digjitalizua, thonë se proceset e digjitalizimit po i përcjellin me vëmendje të veçantë dhe janë të përkushtuar plotësisht që punën e tyre t’ia përshtatin realitetit të ri. Nga aty thonë se me transformimin digjital shumica e proceseve janë digjitale dhe mënyra e punës manuale është reduktuar në minimum.

Nga atje shtojnë se të gjithë gjyqtarët, ndërsa veçanërisht bashkëpunëtorët ekspertë dhe administrata gjyqësore, kishin, siç thonë nga atje, jo vetëm njohuri, por edhe aftësi motivuese dhe shkathtësi për të përdorur mjetet e TIK-ut.

“Gjykata Themelore – Kavadar është gjykata e parë që organizoi jo vetëm gjykim onlajn, përkundrazi, mjetet e TIK-ut u përdorën edhe në procedimin ndaj fëmijëve, zbatimin e sanksioneve, si dhe në ndërmarrjen e aktiviteteve të tjera. A është i mjaftueshëm? Digjitalizimi është një proces që po përmirësohet çdo ditë e më shumë, është realitet dhe asnjëherë nuk do të jetë kapacitet i mjaftueshëm me të cilin disponohet. Digjitalizimi kërkon monitorim të vazhdueshëm të zgjidhjeve dhe proceseve inovative dhe kapacitetet e burimeve njerëzore, duhet të forcohen vazhdimisht me njohuri të reja sepse teknologjia zhvillohet shumë më shpejt se njohuritë”, thonë nga atje.

Nga Gjykata Themelore – Shtip thonë se janë të përkushtuar për digjitalizim të plotë në proceset gjyqësore dhe për këtë qëllim janë të pajisur me numër të mjaftueshëm të kompjuterëve, printerëve, skanerëve dhe fotokopjuesve, si dhe lidhje të mirë dhe stabile në internet. Prej atje shtojnë se dërgesa dhe korrespondenca elektronike përdoret me palë dhe subjekte të jashtme, por edhe brenda, në gjykatë, gjë që, siç thonë prej atje, kontribuon në krijimin e një kulture të përdorimit të teknologjisë digjitale dhe sigurisht shtojnë se është edhe më praktike dhe ekonomike.

Edhe nga Gjykata Themelore e Shtipit thonë se nevojitet një numër i mjaftueshëm i inxhinierëve dhe teknikëve të TI-së.

“Së shpejti në gjykatën tonë do të ketë një punësim në këtë sektor, me të cilin do të kemi dy IT, por sigurisht që është e dëshirueshme që të kemi edhe të tjera, për të fuqizuar këtë sektor të rëndësishëm. Natyrisht që këtu lind edhe çështja e pagave, që të jemi atraktiv dhe të tërheqim profesionistë të tillë, besojmë se është e nevojshme dhe me vend që të paguhen”, deklarojnë prej atje.

Si një nga sfidat e Gjykatës Themelore të Shtipit, ata veçojnë nevojën e edukimit të vazhdueshëm të të gjithë punonjësve në gjyqësor, me qëllim të lehtësimit të funksionimit të sistemeve digjitale, gjë që do t’i lehtësojë shumë proceset dhe do t’i bëjë ato më efikase dhe ekonomike.

Një sallë gjyqësore digjitale këtë vit është hapur edhe në INP Idrizovë, ku muajin e kaluar është mbajtur seanca e parë kryesore për një rast nga Departamenti për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Gjykatës Themelore Penale -Shkup.

Salla e re digjitale e gjyqit është ndërtuar sipas standardeve botërore të sigurisë me hyrje të veçanta për këshillin gjyqësor, palët, publikun, si dhe shoqërimin e të paraburgosurve me respektim të plotë të të drejtave të tyre të garantuara me kushtetutë. Në këtë mënyrë, përveç që do të mundësojë paanshmëri më të madhe në veprimet e gjykatës, do të kontribuojë edhe në ekonomizimin e procedurës duke ulur kostot e transportit dhe sigurimit të personave të paraburgosur, nga departamenti i paraburgimit në godinën e Gjykatës Penale.

Salla e gjyqit është e pajisur me pajisje moderne për regjistrimin audio-vizual të seancave, si dhe pajisje për riprodhimin e materialeve të provave, të cilat do të përdoren në rrjedhën e mëtutjeshme të procesit gjyqësor, si dhe ka pajisje për marrjen në pyetje të dëshmitarit të rrezikuar me mbrojtje adekuate të identitetit të tij dhe dëgjim të palëve në distancë, pra pa praninë e tyre fizike.

Strategjia e re për reforma në Sektorin e Gjyqësorit ka një draft version, marrëveshjet e ndërveprueshmërisë mbetën vetëm në letër

Vitin e kaluar u finalizua zbatimi i Strategjisë së Reformës në Sektorin e Gjyqësorit 2017-2022 dhe duhej të kishte nisur përgatitja e Strategjisë së re për periudhën 2023-2027, e cila do të jetë vazhdimësi e procesit të reformave.

Në lidhje me aktivitetet që dalin nga Strategjia e Reformave në Sektorin e Gjyqësorit (2017 – 2022), të cilat i referohen digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, nga Ministria e Drejtësisë thonë se sistemi i shpërndarjes së lëndëve gjyqësore po funksionon pa ndërprerë.

“Në vitin 2020 është miratuar Ligji i ri për menaxhimin e lëvizjes së lëndëve në gjykata, nga 1 janari 2022 fillon aplikimi i “case management system” për shpërndarjen e lëndëve në Prokuroritë Publike. Transparenca është rritur në tre vitet e fundit që nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, ku procesverbalet e çdo seance dhe vendimet e këshillave publikohen në ueb faqen e tyre. Funksionaliteti i plotë është siguruar në ueb portalin www.sud.mk, ku publikohen aktgjykimet e gjykatave, ndërsa Ligji për procedurë civile, i cili është në procedurë parlamentare, parasheh dispozita për digjitalizim. Në të njëjtin parim bazohet edhe Ligji për Procedurën Penale. Pas miratimit të ligjeve procedurale do t’i qasen ndryshimit të Rregullores së Gjykatës”, thonë nga atje.

Në pyetjen se deri ku është përgatitja e Strategjisë së re për periudhën 2023-2027 dhe çfarë do të përfshijë, prej atje, thonë se draft versioni i parë është përgatitur dhe do t’i përcillet për mendim institucioneve kompetente dhe Komisionit Evropian, dhe pas marrjes së mendimit i përcillet Qeverisë për miratim.

Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar edhe vitin e kaluar marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave dhe dokumenteve. Në Qeveri, në muajin mars u nënshkruan marrëveshje për ndërveprim ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe një grupi institucionesh: Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencia e Aviacionit Civil M-NAV, Drejtoria e Policisë Financiare, Drejtoria për Inteligjencë Financiare, Regjistri Qendror, Drejtoria Doganore dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Platforma e ndërveprueshmërisë është dashur të mundësojë shkëmbimin elektronik të të dhënave dhe dokumenteve ndërmjet institucioneve në mënyrë të standardizuar, të sigurt dhe të unifikuar.

Në pyetjen për kontributin e këtyre marrëveshjeve, nga Ministria e Drejtësisë thonë se me gjithë përpjekjet që kanë bërë për nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim, sfidën e ka pranuar vetëm Ministria e Punëve të Brendshme.

“Në këtë drejtim, është e nevojshme të intensifikohen të gjitha përpjekjet, në mënyrë që autoritetet dhe institucionet shtetërore të përshtatin operacionet e tyre me platformën kombëtare të ndërveprueshmërisë, duke u treguar atyre se në këtë mënyrë arrihet një shkallë e lartë e efikasitetit të shërbimeve të tyre, përparohet azhurnimi dhe ekonomizimi në punë, gjegjësisht se rritja e numrit të institucioneve dhe numri i ueb serviseve/metodave për shkëmbim të të dhënave është realitet i cili duhet të implementohet në mënyrë intensive”, thonë prej atje.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se digjitalizimi tashmë është pranuar jo si realitet por si domosdoshmëri për funksionim efikas.

Sipas tyre, plani për digjitalizimin e gjyqësorit do të mundësojë drejtësi më të shpejtë, ulje të korrupsionit, ulje të kostove në procese gjyqësore, palët do të kursejnë kohë dhe do të ketë më pak gjykime të vonuara.

Nga atje thonë se vitin e ardhshëm do të punohet në zhvillimin e ueb shërbimeve për shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve me autoritetet dhe institucionet e tjera shtetërore përmes Platformës Kombëtare të Ndërveprueshmërisë, zhvillimin e një aplikacioni celular për qasje në dosjen elektronike të lëndës nga palët në procedurën, zhvillimin e platformës së e-delivery për vendosjen e komunikimit të dyanshëm me palët dhe sigurimin e dërgesës elektronike, e cila do të tejkalojë problemin më të madh të dërgesës joefikase deri më tani, përmirësimin dhe instalimin e sistemit FEMIDA për regjistrimin audio-vizual të gjykimeve në të gjitha gjykatat, përmirësimin e treguesve për monitorimin e efikasitetit të gjykatave dhe krijimin e raporteve statistikore për punën e gjykatave dhe përmirësimin e digjitalizimit të shërbimeve gjyqësore përmes digjitalizimit të certifikatave dhe vërtetimeve në proceset civile.

Related posts

Rinovohet Reparti i tretë i grave në Spitalin Psikiatrik Shkup

Gazetamax.mk

Shumë fëmijë në Kumanovë mbeten jashtë çerdheve?!

Gazetamax.mk

Intervista/ Zajkova: Jam objektiv i kritikave dhe nënçmimeve

Gazetamax.mk