GazetaMax
Lajme

Ministria e Shëndetësisë “e përgjumur” Kumanova ka mungesë të barnave!

Shkup, 19 janar – Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk janë të përgjegjshme në sigurimin e barnave për pacientët, që nuk kemi të bëjmë me luks por me nevoja që janë jetike. Mungesa e barnave në qytetin e Kumanovës është rasti i fundit, por që nuk është i pari e nuk do të ngelë as i fundit nëse vazhdohet me këtë avaz e me këtë mungesë përgjegjësie. Në fundin e vitit që e lamë pas mungesë e ngjashme ishte vërejtur në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, ku për pasojë të mungesës së barnave pacientet ankoheshin se po përjetojnë metastaza të kancerit. Megjithatë, institucioni i shëndetësisë është i një rëndësie të veçantë, edhe ashtu qytetarëve nuk u ka ngel besim në asnjë institucion por të paktën t’i kushtohet rëndësi shëndetit të qytetarëve. Sepse, mos të flasim për shëndetin psikik apo për gjendjen ekonomike që janë të shkatërruar pjesërisht. Shëndeti është brenga primare për secilin qytetarë, që nëse ky shtet e këto institucione nuk garantojnë përkujdesjen e duhur askush nuk do të rrezikojë e të luajë me jetën e tij, sepse nuk ka një jetë të dytë, shkruan Zhurnal.

Në barnatoret dhe klinikën e Kumanovës mungojnë ilaçet-

Kryetari i Shoqatës së mjekëve amë në Kumanovë, dr. Fatmir Asani, tërheq vërejtjen se medikamente të ndryshme mungojnë nëpër barnatoret dhe ordinancat e qytetit në Kumanovë. Sipas tij, brengos fakti se nëpër barnatore mungojnë barnat antibiotikë për sëmundjet kronike, pastaj barnat për sëmundjet e zemrës, veshkave, reumës e sëmundje të tjera.      

“Fondi i Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë  janë shumë të pakujdesshme pasi që pacientët po ankohen se disa barna po mungojnë, një ndër to janë edhe barnat antibiotikë, si për shembull Cefaklor, Cefurksim, pra barna për fëmijë, e mos të flasim më për terapinë ampulare e cila po mungon e që duhet të jetë e patjetërsueshme në çdo ordinancë ku kemi pacientë që vijnë me të vjella, barkëqitje, temperaturë të lartë, pastaj nuk jemi në gjendje t’i shërbejmë, kemi pacientë që nuk mund t’i konsumojnë barnat, atyre duhet t’u japim injeksione, e nuk kemi as injeksione e as barna”, ka thënë për TVM2,  dr. Fatmir Asani nga “Shoqata e mjekëve amë” – Kumanovë.

Ai apelon tek institucionet kompetente që të ndërrohet regjimi i barnave, me qëllim që pacientët mos të enden prej te mjeku amë deri te mjeku sekondar, pasi që në këtë mënyrë vetëm humbin kohë.

“Kërkojmë që regjimi i barnave të ndërrohet nga ana e Fondit Shëndetësor dhe të gjitha barnat që shërbejnë për sëmundjet që kanë të bëjnë me tension, kolesterol, t’i shkruajë mjeku amë me qëllim që mos të enden pacientët prej te mjeku amë te mjeku sekondar, pasi kështu vetëm humbin kohë, por edhe të holla”, shtoi, dr, Asani.

Në situatë të këtillë të mungesës së barnave nëpër barnatore dhe ordinancë,  pacientët janë të detyruar t’i ndërrojnë barnat nga prodhues të tjerë ose të shkojnë në komunat fqinje ose në shtetet fqinje, si në Shkup, Preshevë, Bujanocë ose Vrajë.

Çfarë bënë ministri Bekim Sali?

Ministria e Shëndetësisë është institucioni kryesor dhe përgjegjës për gjithçka që lidhet me shëndetësinë, e në këtë rast edhe me farmacinë. Tashmë një vit që është në krye të këtij institucioni problemet me mungesën e barnave në qytete të ndryshme nuk kanë të ndalur. Rasti i fundit është ky në qytetin e Kumanovës, ku qytetarët në këtë sezone gripi kur kanë më së shumti nevojë për trajtim mjekësor e rehabilitim shtëpiak nuk mund të marrin ndihmën e duhur përshkak të mungesës së barnave.

Por, ky rast nuk është as i pari e me shumë gjasë nëse vazhdohet me këtë avaz papërgjegjësie nuk do të jetë as i fundit. Në fundvitin që lamë pas kishte mungesë shumë të madhe të barnave në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, ku si pasojë e kësaj mungese të barnave metastzohej kanceri edhe më shumë.

Mungesa disa mujore e terapive kundër kancerit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, ka shtuar dyshimet e organeve hetuese se ka keqpërdorime. Edhe pse buxheti i planifikuar vjetor iu është ndarë me kohë, Fondi për Sigurim Shëndetësor iu ka miratuar edhe një buxhet shtesë rreth 5,5 milion euro për tender të ri të barnave biologjike, të cilat janë në mungesë për tre mujorin e fundit të 2022-ës. Pas furnizimit me terapi të reja, korridoret e Klinikës së Onkologjisë ishin stërmbushen me pacientë.

Pacientët ankohen se në periudhën që nuk kanë marrë terapitë e rregullta nga klinika kishin vështirësi shëndetësore. Disa prej tyre tregojnë se janë detyruar të blejnë privat nëpër barnatore. Ata që nuk kanë pasur mundësi, vetëm dëshmojnë se gjatë këtyre muajve iu kanë shtuar edhe metastazat e kancerit.

Prandaj, mungesa e përgjegjësisë të institucioneve në këtë rast Fondit Shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë qytetarët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme përballen edhe me shpenzime më të larta ekonomike si dhe me brengën e gjetjes së ilaçeve të nevojshme, që në realitet për ata janë jetike.

Nuk përfundon misioni me marrjen e cilit do pozicion, në realitet këtu duhet të fillojë. Përgjegjësia e secilit bartës institucioni duhet të jetë e lartë, sepse edhe pritjet e qytetarëve janë të larta, sidomos kur kemi të bëjmë me shëndetësinë, arsimin, e ekonominë.

Spitalet në vend janë në gjendje të mjerueshme, një projekt “megaloman” që tashmë me dekada po qëndron në sirtarë, ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, përmirësimi i infrastrukturës në spitale, rritja e pagave për mjekët, motivimi për të qëndruar në vend, sigurimi i barnave për secilin pacientë, këto duhet të jenë prioritet e këtij ministri që fati e bëri ministër, pasi populli nuk e votoi që të jetë në krye të Komunës së Çairit. /Zhrunal.mk

Related posts

Diplomacia aktive e Osmanit, Maqedonia e Veriut nga spektatore në protagoniste

Gazetamax.mk

Mariçiq – Mogerini: Aktivizojmë bashkëpunimin me “Kolegjin e Evropës” për mbështetje në bisedimet me BE-në

Gazetamax.mk

Vuçiq nga Ohri: Ballkani i Hapur është nismë e jashtëzakonshme në interes tlëqytetarëve dhe nuk është zëvendësim për BE-në

Gazetamax.mk