Xhelal Fera është një shembull frymëzimi për të gjithë. Ai tashmë është aktor dhe ka luajtur në disa filma, mirëpo, profesionin e vërtetë e ka elektriçist.
Në një lidhje me Skype nga Shkupi për “ABC e Mëngjesit”, Xhelali ka treguar se aktor është bërë në moshën 40-vjeçare kur një regjisor e pa rastësisht dhe i tha që bënte për kameran. Ai theksoi se jeta e tij ndryshoi nga ai moment dhe tashmë e njohin të gjithë.
“Që i vogël kam parë filma, por asnjëherë nuk kam menduar se do të dalë para kamerave. Por ishte shumë spontane para 10 vitesh, kërkohej një figurant te një film dhe djali i xhaxhait më tha, edhe kështu shkova. Filluan xhirimet dhe kur mbaroi filmi regjisori më tha që ty të do kamera, edhe duhet të vazhdosh.
Unë i thash që jam elektriçist dhe nëse mendoni vetëm me mbush numrin, nuk kisha dëshirë për të luajtur. ‘Jo’, më tha, edhe kështu vazhduam pjesën e parë, të dytë dhe kemi arritur këtu. Më ka ndryshuar shumë jeta dhe tani jam pak më ndryshe kur dal përpara kamerave, sepse nuk është më njësoj”, tha ai.
Më tej, Xhelali theksoi se në fillim nuk ka dashur të punojë elektriçist, por e ka trashëguar nga babai, i cili ndërroi jetë dhe u detyrua të mbante familjen.
“Unë aktrimin e kam pasur pasion, ndërkohë elektriçist kam shumë vite, punoj te kjo firma këtu. Po aktrimi ka qenë diçka spontane dhe unë dua të falenderoj regjisorët që më kanë parë. Unë nuk kam studiuar për aktrim, thjesht e kam pasion. Më thonë që ngjasoj me një aktor turk.
Puna e elektriçisti ka ardhur kur kam qenë shumë i vogël se babai im ishte i tillë edhe ndërroi jetë. Unë u detyrova të punoja sepse kisha vëllain dhe motrën e vogël, edhe nënën. Nuk është diçka që e kam dashur në fillim”, u shpreh ai.