GazetaMax
Lajme

Osmani: Dialogu, rruga e zbutjes së tensioneve mes Shkupit dhe Sofjes

Shkup, 29 janar – Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se fushata e zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari dhe tensionet politike në Maqedoninë e Veriut janë shkaktarë të përshkallëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai thotë se mosmarrëveshjet duhet zgjidhur me dialog për të mos iu lënë hapësirë “përfituesve politikë dhe provokatorëve”. Në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së, ai flet edhe për sfidat e luftës në Ukrainë, si dhe për përplasjet brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, ku ai bën pjesë.

Zëri i Amerikës:
Zoti Osmani, marrëdhëniet me Bullgarinë po tensionohen sidomos tani pas një incidenti me një pjesëtar të pakicës bullgare në Ohër. Sofja paralajmëron anulimin e projekteve evropiane me Shkupin. Ku çon kjo?

Bujar Osmani: Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë historikisht të vështira, komplekse dhe në pak periudha në të kaluarën kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm. Shpallja e zgjedhjeve të parakoshme në Bullgari dhe tensionimi politik këtu në Maqedoninë e Veriut ka çuar në krijimin e kësaj situate. Këto situata zakonisht i nxisin edhe më tepër debatet e tilla. Nëse reagimi bullgar lidhet me incidentin në Ohër, mund të konstatohet si disproporcional sepse shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ta izoluar atë rast dhe për t’i identifikuar, për t’i nxjerrë para drejtësisë dhe për t’i dënuar autorët. Unë bëj thirrje për gjakftohësi. Tani duhet një ulje e tensioneve dhe rikthim i komunikimit normal mes dy shteteve që mos t’u lëmë hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve që nga kjo të ushqehen dhe të ndërtojnë karrierat e tyre politike.

Zëri i Amerikës: Presidenti Stevo Pendarovski i ka rekomanduar Qeverisë që të shpallë për person të padëshirueshëm një deputet evropian nga Bullgaria dhe politikanë të tjerë me qëndrime të theksuara anti-maqedonase. A është diskutuar në qeveri kjo kërkesë e presidentit maqedonas?

Bujar Osmani: Çështja është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe qeveria vetëm ka obliguar MPB-në të bëjë analiza për sa i takon aspekteve të sigurisë, para së gjithash ngjarjes së pritshme të 4 shkurtit (manifestimi i ditëlindjes së Goce Dellçevit) që parashihet si ngjarje me implikime të larta ndaj sigurisë dhe do të shohim se cili do të jetë vendimi i MPB-së. Unë vlerësoj se duhet të përcaktojmë parimin se askush nuk mund të vijë në Maqedoninë e Veriut dhe të mohojë integritetin territorial të shtetit apo ekzistencën e popujve, cilitdo komunitet qoftë dhe të mos ketë asnjë reagim nga shteti, qoftë dhe ndalimi i hyrjes. Mirëpo, kjo pasi që parimi të etablohet, promovohet, kurse qasjet retroaktive nuk mendoj se janë zgjidhje të cilitdo problem në Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: A keni komunikuar me Brukselin pas këtyre përplasjeve me Sofjen dhe a ekziston rreziku i një vetoje të re bullgare në rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE?

Bujar Osmani: Unë kam komunikuar dhe ditëve në vijim do të jem në Bruksel për t’u takuar me të gjithë udhëheqësit e BE-së për të diskutuar mbi këtë çështje, edhe pse shkoj në një funksion tjetër atje. Mendoj se duhet të ruajmë dialogun dhe të gjejmë mënyrë për kapërcimin e sfidave midis shteteve tona që janë situata të cilat dalin nga marrëdhënie të vështira në mes dy shteteve, por mendoj se është krijuar një kornizë, e cila në afat të gjatë do t’i stabilizojë këto marrëdhënie.

Related posts

Zaev: Përmes Fondacionit, mbështes të gjithë ata që ngrenë zërin dhe kontribojnë në shoqëri

Gazetamax.mk

Moti sot më ngrohtë me temperatura deri 13 gradë

Gazetamax.mk

Modeli i ri i subvencionimit në bujqësi para Qeverisë

Gazetamax.mk