GazetaMax
Lajme

Fronti evropian po pengohet në postet udhëheqëse !?

Shkup, 7 shkurt – Asgjë nuk ka përfunduar derisa të përfundojë zyrtarisht, pretendojnë për DV-në burime nga partitë pjesëmarrëse në bisedimet për zgjerimin e mazhorancës qeveritare. Aleanca për Shqiptarët thotë se grupet e punës janë duke punuar intensivisht, ka afrim, ndonjëherë edhe mosmarrëveshje për disa çështje, por negociatat vazhdojnë deri në mbylljen e të gjitha temave, transmeton Zhurnal nga DW.

Për mbylljen e të gjitha temave nuk mjaftojnë vetëm bisedimet mes grupeve punuese të LSDM-së dhe ASH-së, por harmonizimi i zgjidhjeve të mundshme me BDI-në dhe Alternativën. Për momentin, paqartësia e vetme për zgjerimin e shumicës, do të jetë vendimi i Alternativës, nëse do të mbetet apo do të largohet nga Qeveria.

Nga çfarë do të varet? Ata presin që fillimisht të përfundojnë bisedimet mes LSDM-së dhe ASH-së, për të vlerësuar nëse dhe sa ajo marrëveshje ndërhyn në marrëveshjen ndërmjet Alternativës dhe LSDM-së të arritur në dhjetor 2021.

“Ne do të analizojmë të dy opsionet – çfarë nëse hyjmë dhe çfarë nëse dalim.” Do të duhet t’i vendosim për debat në organet tona dhe të vendosim”, tha këto ditë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.

Ndonëse shprehu gatishmërinë për kompromis, ai nuk paragjykoi se çfarë do të ndodhte nëse Alternativës i hiqej drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë, gjë që kërkon ASH.

“Do të duhet të diskutojmë të gjithë pakon, nuk bëhet fjalë për një apo dy resorë”, tha Gashi.

Sekretari i Alternativës, Zekirija Ibrahimi, ditëve të fundit ka theksuar se ende nuk i kanë marrë të gjitha pozitat drejtuese që janë dakorduar me LSDM-në, dhe siç ka thënë ai, bëhet fjalë për 15 pozita drejtuese në organet e administratës.

Grupa e zjarrit kontrollojnë gjashtë deputetë !?

Aleanca për Shqiptarët ka tetë deputetë që do të forconin ndjeshëm mazhorancën qeveritare. Në bisedimet me LSDM-në, ASH pretendohet se ka kërkuar tre pozita ministrore dhe akoma më shumë zëvendësministrore, si dhe dhjetëra pozita drejtuese në inspektorate, fonde… Por nëse marrëveshja e tyre shkakton pakënaqësi te disa prej partnerëve aktualë të qeverisë, sipas burimeve nga opozita shqiptare, situata mund të përfundojë me “tetë hyjnë e tetë dalin”.

Në çfarë bazohen këto matematika? Pjesë e “Grupit të Zjarrit” janë konsideruar deri më tani tre deputetë të BDI-së, të cilët publikisht dalin në takime me qytetarë, duke kritikuar përzgjedhjen kadrovike të Ahmetit në ekzekutiv dhe mungesën e rezultateve. Nënkryetari i Lëvizjes Besa, Fatmir Limani, ka dhënë vlerësimin e tij në një debat në Klan se “grupi i zjarrit” kanë nën kontroll gjashtë deputetë. Në atë grup, Limani ka “numëruar” edhe deputetin Skender Rexhepi-Zeidi, i cili para disa muajsh dezertoi nga grupi parlamentar i Alternativës dhe vepron si deputet i pavarur. Rexhepi nuk është deklaruar me vendosmëri kundër zgjerimit të mazhorancës, por ka kritikuar Alternativën për moszbatimin e pikave programore për të cilat ka hyrë në Qeveri. Këto ditë ai tha për Alternativën se ka dy mundësi – të shpëtojë nderin dhe të largohet nga Qeveria, ose të qëndrojë me kokën ulur. Limani nuk përmendi emrat e deputetëve të pestë dhe të gjashtë që dyshohet se janë nën kontrollin e “Grupit të Zjarrit”, me arsyetimin se i njohin, por nuk është korrekte të përmenden.

Bllof apo realitet?

Deri më tani, burime nga opozita shqiptare kanë spekuluar se beteja për zgjerimin e mazhorancës mund të përfundojë me dëme më të mëdha. U spekulua se “nuk është e sigurt nëse të gjithë deputetët e Aleancës për Shqiptarët do të mbështesin hyrjen në Qeveri dhe se mund të ketë surpriza”. Të tjerë, nga ana tjetër, e gjetën befasinë e mundshme mes “deputetëve të Alternativës”, nëse merret vendimi që ajo të mbetet në Qeveri.

Nga ana tjetër, burime në parti pohojnë se nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes tre deputetëve të Alternativës dhe se do të respektojnë vendimet e marra nga autoritetet partiake.

Partia nuk është kundër kompromisit, por nuk do të pranojë një kompromis të tillë që do të cenonte integritetin e Alternativës, si parti që një vit më parë ishte kyçe për mbijetesën e shumicës parlamentare, tha zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

“Për ne është thelbësore që të respektojmë marrëveshjen e nënshkruar që e kemi që nga dhjetori i vitit 2021 për hyrje në Qeveri deri në fund. Siç e di publiku, nuk jemi ne ata që e problematizojmë apo nuk e respektojmë realizimin e asaj marrëveshjeje. Në kohën kur ka negociata për zgjerimin e shumicës parlamentare, dhe në kohën kur një parti e caktuar politike ia ofron Alternativës me marrëveshje portofolet që na takojnë, atëherë lirisht mund të themi se është shkelje e marrëveshjes që është nënshkruar në dhjetor 2021”, tha ai në TV Thelma.

Detyrë më të vështirë do ta ketë kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili duhet të harmonizojë kërkesat e ASH-së, në mënyrë që partnerët aktualë të mos ndihen të dëmtuar. VMRO-DPMNE opozitare nuk sheh ndonjë front pro-evropian në këtë proces, por pazare për interesa të ngushta partiake./Zhurnal.mk

Related posts

Politikologu Vilson Junçaj: Malësisë i është rikthyer lavdia e saj e vjetër, Malësia frymon shqip

Gazetamax.mk

Ligji i duhanit nuk respektohet

Gazetamax.mk

Dita e të moshuarve/ Grubi: Për një vit arritëm të rrisim për 16% pensionet

Gazetamax.mk