Kancelari gjerman Olaf Scholz viziton të premten Shtëpinë e Bardhë për një takim me presidentin amerikan Joe Biden, në kohën kur të dy udhëheqësit shprehën shqetësimet e tyre se Kina mund të furnizojë me armë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë.
Një veprim i tillë nga Kina mund të ndryshojë potencialisht trajektoren e luftës, duke lejuar Moskën të plotësojë rezervat e saj të varfëruara të armatimeve.
Scholz, gjatë një fjalimi në Parlamentin e Gjermanis, i bëri thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Moskë për të bërë presion për tërheqjen e trupave ruse dhe për të mos furnizuar me armë Rusisë.
Kina është partneri kryesor tregtar i Gjermanisë, dhe kombet evropiane, në përgjithësi, kanë qenë më të kujdesshme se Shtetet e Bashkuara në marrjen e një qëndrimi të ashpër ndaj Pekinit.
SHBA dhe Gjermania kanë punuar ngushtë së bashku për të furnizuar Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe humanitare, por gjithashtu ka pasur fërkime për çështje si sigurimi i tankeve, dhe Uashingtoni herë pas here është frustruar me hezitimin e Berlinit.
Vizita e Scholz përshkruhet si një “vizitë e vërtetë pune midis këtyre dy liderëve”.
Takimi pritet të jetë kokë më kokë, ku Biden dhe Scholz mund të jenë të vetmit njerëz në dhomë për pjesën më të madhe të kohës.
I pyetur për rrethanat e vizitës së tij, Scholz tha se ai dhe Biden “duan të flasin drejtpërdrejt me njëri -tjetrin”, dhe ai përshkroi situatën e krijuar si “një situatë globale ku gjërat janë bërë shumë të vështira”.
Scholz ka hedhur poshtë çdo nocion mosmarrëveshjeje midis aleatëve,
“Është e rëndësishme që miq të tillë të mund të flasin për të gjitha këto pyetje së bashku, vazhdimisht”, tha ai./REL