GazetaMax
Lajme

Marrëveshjet e pazbatuara Kosovë-Serbi ndër vite

Pas rreth shtatë muaj diskutime, pala kosovare dhe ajo serbe, të hënën e 27 shkurtit u dakorduan për propozimin evropian, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”, duke theksuar se nuk nevojiten diskutime tjera rreth tij. Në anën tjetër, praktika në të kalurën ka treguar se shumë marrëveshje që janë nënshkruar në Bruksel, kanë mbetur vetëm në letër.

Angazhimi i ndërkombëtarëve për miratimin e planit evropian nga Kosova dhe Serbia, i cili është mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u finalizua në takimin e 27 shkurtit, kur pati dakordim verbal rreth këtij propozimi mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, edhe pse dokumenti si i tillë nuk u nënshkrua nga dy liderët.

Garanci në implementimin e tij ka dhënë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell i cili pas takimit trelateral, deklaroi se fundi i marsit është koha kur pret të finalizohet puna. Madje ai paralajmëroi se para mbledhjes që do mbahet nga mesi i këtij muaji, emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin për të marrë propozimet e tyre.

Ndonëse, praktikat në të kaluarën tregojnë se disa marrëveshje që janë nënshkruar në Bruksel dhe jo vetëm, nuk janë zbatuar, lehtësuesit e procesit të dialogut garantojnë se kësaj radhe do të ketë zbatim të planit.

Marrëveshje e cila u zbatua pjesërisht ishte ajo e Uashingtonit e cila u firmos në shtator të 2020-tës nga kryeministri i athershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti Vuçiq me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell.

Në gusht të 2015, po ashtu në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për themelimin dhe parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim pasi e njëjta nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Mirëpo, për implementimin e planit franko- gjerman, optimist janë shprehur analistët politik të cilët thonë se kësaj here shohin seriozitet më të madh nga BE-ja dhe ShBA-të.

Analisti politik, Imer Mushkolaj shprehet se tashmë ekziston një seriozitet më i madh edhe prej BE-së dhe ShBA-së që ajo për të cilën janë pajtuar palët, të zbatohet edhe në praktikë.

Ai konsideron që marrëveshja duhet të zbatohet në tërësi e që sipas Mushkolajt, çdo shmangie nga zbatimi i plotë i saj, është dështim qysh në fillim.

“Duket se kësaj here ekziston një seriozitet më i madh edhe prej BE-së dhe ShBA-së që ajo për të cilën janë pajtu palët, të zbatohet në praktike dhe është e rëndësishme që për çka do që merren vesh, të ekzistojë një ‘orar’ apo afat se çka, kur dhe si do të duhet të ndodhë dhe të mos lihet në vullnetin e asnjërës palë në kuptimin e arsyejeve që mund ti gjejnë për të mos e zbatu një nen apo një tjetër të marrëveshjes”- tha Mushkolaj.

“Kësaj radhe konsideroj se duke pasur parasysh angazhimin amerikan sidomos, pavarësisht se plani është evropian, besoj që duhet me marrë garanca edhe nga SHBA. Është shumë e rëndësishme aleanca nga SHBA-të bashkë me BE-në që kjo marrëveshje të zbatohet”- shton ai.

Optimist në zotimet e ndërkombëtarëve për zbatim të plotë të propozimit evropian është shprehur edhe Demush Shasha nga Instituti EPIK. Ai thotë se aleatët do të ofrojnë ofrojnë garancitë të mjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes.

“Rrjedhimisht neve kemi parë edhe angazhim të ndjeshëm politik të aleatëve tanë perëndimor në procesin negociator. Në këtë drejtim unë konsideroj se aleatët tonë do ofrojnë garancitë të mjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes. Po ashtu, konsideroj së të dy palë – Kosova dhe Serbia – kuptojnë e kanë më shumë për të fituar se sa të humbasin nga marrëveshja e propozuar”- thekson Shasha për KALLXO.com.

Duke folur për takimin e 18 marsit, analisti Mushkolaj pret që mes kreut të ekzekutivit kosovar dhe presidentit serb, të ketë nënshkrim formal të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

“Pres që të ketë lëvizje jashtëzakonisht serioze deri më 18 mars për shkak se paralajmërimet e SHBA dhe BE janë se duhet me përfundu brenda marsit sepse janë të interesuar shumë që brenda marsit të përfundojë gjithçka, në kuptimin e ujdisë finale për këtë marrëveshje të përkohshme dhe të fillojë zbatimi i saj. Palët të merren vesh që përtej planit evropian që është i pranueshëm, të jetë i pranueshëm edhe udhërrëfyesi për zbatimin e këtij plani”- vlerëson Mushkolaj.

Ndërkaq, Shasha e ka të vështirë të parashikojë se çka mund të ndodhë, teksa shprehet optimist se palët do arrijnë të dakordohen për planin e zbatimit.

“Është vështirë të parashikohet për shkak se ende ekziston hendeku në mes palëve sa i përket planit të zbatimit dhe në veçanti sa i përket natyrës së Asociacionit. Sidoqoftë unë jam optimist se palët do arrijnë të dakordohen gjatë javëve në vijim për çështjet e hapura dhe rrjedhimisht unë pres që takimi i ardhshëm të shënoj edhe dakordimin për planin e zbatimit”- deklaron Shasha.

Garancia e ndërkombëtarëve për zbatim të propozimit të BE-së

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak thotë se misioni i tyre është dakordimi për të zbatuar Udhërrëfyesin e planit evropian, për të cilin ai tha se gjithashtu do të bëhet publik.

Në një intervistë për “Atlantic Council”, Lajçak thotë se ka kërkuar nga pala kosovare dhe serbë që të përgatisin propozimet e tyre realiste dhe konstruktive bazuar në përmbajtjen që u është dorëzuar.

“Misioni ynë është dakordimi për të zbatuar Udhërrëfyesin, me këtë në mendje, kërkojmë nga të dyja palët që të përgatisin propozimet e tyre realiste dhe konstruktive bazuar në përmbajtjen tonë të cilën e kam ndarë me të dy liderët në dhjetor. Këtë pres ta diskutojmë me kryeministrin kurti dhe presidentin Vuçiq kur të jem në Prishtinë dhe Beograd”- deklaroi Lajçak.

“Është shumë e rëndësishme që para takimit më 18 mars, të dijmë pritshmëritë e të dyja palëve kur vie puna tek zbatimi dhe në këtë bazë, të dakodohemi për dokumentin që do reflektojë pozicionet e tyre. Liderët dëshirojnë garanci që atë që kërkojnë edhe të pranojnë , kjo është normale dhe logjike duke parë rëndësinë dhe ndjeshmërinë e çështjes”- shton emisari i BE-së.

Pozitiv në implementimin e planit evropian, është shprehur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritshmëri të mëdha në seriozitetin për të zbatuar propozimin evropian. Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë tha se vendet e rajonit duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të kenë marrëdhënie pozitive mes vete.

Marrëveshjet e pa zbatuara

Ndonëse Kosova dhe Serbia janë dakorduar për disa marrëveshje në Bruksel e Uashington, si të tilla nuk janë zbatuar.

E tillë është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Mirëpo edhe në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Ndonëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përmendur se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet nga Kosova. E në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja antikushtetuese kurrsesi nuk mund të zbatohet.

Marrëveshje tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, që u zbatua pjesërisht ishte ajo e Uashingtonit, e nënshkruar nga kryeministri i athershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti Vuçiq me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell.

Në dokumentin e marrëveshjes parashiheshin edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në njërën pikë të dokumentit.

Në korrik të 2021-tës, partia e Hotit – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), inicioi në Kuvendin e Kosovës një rezolutë përmes së cilës kërkohej kryeministrit Albin Kurti që të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit.

Megjithatë, Kuvendi nuk arriti që të miratojë këtë rezolutë, pasi për votuan 24 deputetë të LDK-së, ndërsa 57 deputetë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.

Avdullah Hoti tash në cilësinë e deputetit të LDK-së, kishte deklaruar se marrëveshja e Uashingtonit, “duhet parë si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ndërkaq, kryeministri aktual Albin Kurti ka ripërsëritur se për të pika më e rëndësishme e marrëveshjes është njohja nga Izraeli. Kurti kishte theksuar se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Liqenit të Ujmanit pasi siç ka thënë ai “Ujmani ashtu siç është, është liqen artificial i Kosovës për Kosovën”.

As marrëveshja për energjinë, e dakorduar me Kosovës dhe Serbisë në qershor të 2022-tës, nuk ka filluar zbatimin.

Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri. Por edhe pas kanë kaluar disa muaj, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.

Përmbajtja e planit franko-gjerman

Bashkimi Evropian ka publikuar planin e njohur si Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky plan përmban gjithsej 11 nene, si dhe një deklaratë në fillim të tij.

Përmbajta e plotë e planit është si në vijim:

Palët kontraktuese,

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet palëve në dobi të popullit,

Janë pajtuar që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e njeriut, të drejtat dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët veprojnë nën supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjes, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fusha të tjera të ngjashme nëpërmjet arritjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme.

Neni 11

Të dyja palët angazhohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit të bashkëngjitur në këtë Marrëveshje.

Related posts

Samit i parë kombëtar i shkollave të mesme

Gazetamax.mk

VMRO-DPMNE nuk heqë dorë nga zgjedhjet e parakohshme, i planifikojnë në maj 2023

Gazetamax.mk

Vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Gazetamax.mk