Një lajm i dhimbshëm ka tronditur pasditen e sotme opinionin publik. Një fëmijë vetëm 4 vjeç ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, pas tre ditësh lufte me vdekjen, si pasojë e një aksidenti tragjik brenda mureve të shtëpisë.
Gjithçka ka nisur tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit, ku i mituri po luante me motrën e tij, gjithashtu e mitur. Gjatë lojës, në rrethana krejtësisht aksidentale, motra e ka goditur vogëlushin me një gur në kokë. Fillimisht familjarët e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Pogradecit, por duke parë gjendjen kritike dhe dëmtimet e rënda, mjekët vendosën dërgimin e tij të menjëhershëm drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve mjekësore te Trauma, plaga në kokë ka qenë fatale për 4-vjeçarin, i cili nuk ka mundur të mbijetojë, duke u shuar sot pas tri ditësh në gjendje të rëndë.
Policia e Pogradecit ka bërë referimin e materialeve në Prokurori për veprime të mëtejshme që nga dita kur fëmija u paraqit në spital, ndërsa kjo ngjarje mbetet një dramë e rëndë për familjen, ku një lojë fëmijësh u kthye në një tragjedi të pariparueshme.
