GazetaMax
Lifestyle

Ekskluzive/ Anjeza Shahini: Shqiptarët më kërkojnë të kthehem në skenë: Jam gati!

Këngëtarja e dashur e publikut shqiptar, Anjeza Shahini, ka ardhur në një intervistë ekskluzive për gazetarin Andri Xhahu.

Prej disa vitesh, artistja jeton me bashkëshortin dhe vajzën në Britaninë e Madhe, ku vijon dhe angazhimin muzikor. “Ngaqë nuk kam arritur të jem në skenën shqiptare, shpesh më kritikojnë dhe më thonë me shumë dashuri të kthehem në skenë. Skenat në Shqipëri mendohet të jenë festivalet. Për këtë më vjen keq sepse artisti dhe muzikanti nuk ka nevojë të jetë gjithmonë në festivale që të quhet që është në skenë. Krijuesi dhe interpretuesi duhet të bëjë këngë dhe t’i shfaqë ato për publikun e të ketë mundësi të bëjë koncertet e veta.” – tregon Anjeza për “Radio Tirana”

Gjatë kohës që ka qenë larg skenës muzikore shqiptare, ajo ka krijuar muzikë, ka mbajtur koncerte dhe ka mësuar studentët e saj. “Puna me të rinjtë që trajnoj më ka bërë shumë krenare. Më ka bërë që të zhvillohem më tepër në këtë fushë, të kuptoj më shumë. Duke dhënë mësim kam mësuar edhe vetë.”

Shahini shprehet se e dashuron këtë profesion dhe i jep shumë kënaqësi. “Thjesht kur dëgjoj një të ri që vjen tek unë me një dëshirë për të arritur diçka, sikur edhe sa për t’ju dëgjuar zëri, unë jap gjithçka nga vetja sepse e kuptoj që edhe unë kur isha në moshën e tyre do të kisha dashur të kisha një mentor. Dashuria që marr nga ata është shumë e madhe. Po ashtu respekti dhe vlerësimi. Çdo ditë të duket sikur ke dalë ne skenë dhe je duartrokitur. Ka marrë një dimension shumë të fortë. Jam lidhur shumë me studentët e mi.”

Duket se artistja Anjeza Shahini i ka lënë vendin një personaliteti tjetër artistik. “Ani and The Cranes” është projekti i saj më i ri. “Nisa një grup para disa kohësh dhe tashmë unë doja ta bëja publike. Jam gati të dhuroj ato këngë që kam krijuar. Këngët do të jenë në anglisht. Nuk doja ta lidhja me Anjeza Shahin dhe me atë që kam bërë në Shqipëri. Anjeza do të mbetet aty, e vlerësoj shumë dhe nuk doja ta prekja. Është si një kristal që dua ta ruaj. Grupi “Ani and The Cranes” është një projekt zhvillimi dhe rikrijimi i vetvetes.”

“Të gjithë nga zero kanë filluar, asnjë nuk lind i ditur dhe as i dashuruar”, është varg i një prej këngëve më të bukura të Anjeza Shahinit. E pyetur për mesazhin e kësaj kënge, ajo përgjigjet: “Është një këngë shumë e bukur me një filozofi po aq të bukur. Ndonjëherë njerëzit duhet t’ia fillojnë nga zero. E gjej veten aty sepse kur kam ardhur në Angli e kam nisur nga zero. Unë nuk erdha për një shkollim apo projekt muzikor, por erdha se ndoqa Paul-in, dashurinë e jetës. Ndonjëherë është e vështirë të shpjegosh si është e mundur të lësh suksesin apo jetën artistike për të shkuar në një vend tjetër. Këtu ku jetoj ma bëjnë shpesh si pyetje. Dashuria t’i bën të gjitha.”

Në foto: Anjeza Shahini

Shahini tregon se vendimi për t’u larguar ishte i të dyve. “Ishte një vendin logjik. Vetë karriera e Paul-it ishte më stabël këtu. Në Shqipëri unë e kam bërë muzikën me shumë kënaqësi dhe dashuri, por nuk ka qenë profesion që paguhesh dhe me këto të ardhura të mbash familjen. E kam bërë muzikën si vajzë beqare, kur më mbante familja. Nëse do mendoja për familjen që do krijoja, duhet të tregohesha më e kujdesshme. Ndaj e justifikoj lëvizjen time.”

Ndalur te lajmet e publikuara së fundmi në media për një ndarje të mundshme nga bashkëshorti, Anjeza e ka një përgjigje. “Jemi shumë mirë bashkë. Të kemi shëndetin dhe do të jemi gjatë bashkë.”

Anjeza dhe Paul kanë një vajzë bashkë, që sipas artistes është “goca e babit” por ka marrë shumë edhe nga mami i saj. “Ka shumë personalitet. Me mikrofon bën jehona të zërit dhe kur është gati thotë tani më shiko. Unë nuk e shtyj drejt muzikës. Dua që ajo të marrë informacione nga të gjitha fushat që ka dëshirë dhe të zgjedhë vetë jetën e saj. Mua do të më ketë mbështetje për çdo gjë.”

Sesi e shikon nga distanca muzikën që bëhet në Shqipëri, Shahini thotë se prej shumë kohësh muzika shqiptare është e trazuar. “Kur jam larguar unë nga Shqipëria ka qenë kulmi i tallavasë. Është rrymë? Nuk mund ta mohojmë. Është rrymë, e duan njerëzit, edhe unë e kam kërcyer. Është një rrymë që duhet ta zhvillojmë? Absolutisht jo! Është një rrymë që na përfaqëson? Nuk na përfaqëson ne si identitet. Nuk më pëlqen kur e ngatërrojnë muzikën tallava me muzikën tonë etnike. Shpresoj që artistët e rinj të kenë dëshirën të krijojnë vetë dhe ta marrin në dorë muzikën që ta ndryshojnë atë. Të kenë identitet dhe të mos kopjojnë njëri tjetrin.”

Related posts

Ariana sjell plot stil ” Idiot” njihuni me artites e re

Gazetamax.mk

Ushqimet që forcojnë trurin dhe memorien tuaj

Gazetamax.mk

Hulumtimi i ri nga Yale identifikon shkaqet e kancerit

Gazetamax.mk