GazetaMax
Lifestyle

Adrienne Hauser me elegancë në piano kulmon në ritme hungareze

Festivali “Chopin Piano Fest” ka kohë që Prishtinës i sjell emra të shquar të botës së muzikës klasike. E këtij niveli artistik ka qenë edhe nata e katërt e këtij edicioni me pianisten hungareze, Adrienne Hauser. Ka sjellë lojë mjeshtërore, në kombinim stilesh e teknikash, përderisa koncerti është shquar edhe për ritme hungareze. Mbi të gjitha, Hauser shquhet për elegancë e ndjeshmëri në interpretim

Loja e saj në piano është një lloj koreografie gishtërinjsh në tastet bardhezi, përherë në ndjekje tingujsh e ritmesh. Adrienne Hauser komunikon nëpërmjet instrumentit të saj. Me të publikut i rrëfen histori, e shpie nëpër epoka e vende të ndryshme dhe mjafton qoftë një pjesë krejt vogël për t’ia dalluar mjeshtërinë interpretuese. Hauser e ka dëshmuar këtë në natën e katërt të edicionit të 13-të të “Chopin Piano Festit”. Ka qenë “Der Müller und der Bach” e Franz Schubertit e orkestruar nga Franz Liszt ajo që ka hapur koncertin e së mërkurës mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, duke zbërthyer këtë vepër tipike të periudhës së romantizmit e cila shquhet nga ritme të ngadalta e nota të buta. Vepra nxjerr në pah prekjet e lehta të gishtërinjve të pianistes, e cila shpesh ndalon nëpër taste të caktuara duke e lënë kështu tingullin të jehojë deri në shuarje. Kanë qenë projektorët rozë dhe kaltër që luajnë me ngjyrat e sallës, por shumëngjyrëshe ka qenë paleta e veprave që ka sjellë Hauser.

Me hapje pak më dramatike nisi vepra e dytë “Die Stadt”, sërish një orkestrim i veprës së Schubertit nga Liszt, e cila pas një hapjeje të fuqishme zhytet në tinguj të butë, karakteristikë për periudhën e romantizmit kur punoi e krijoi ky kompozitor.

Pas kësaj Hauser solli ritmin e këngëve folklorike hungareze. Ishte vepra “Three Hungarian Folksong from Czik” e njërit prej kompozitorëve më të njohur hungarezë, Béla Bartók, ajo që hapi siparin e muzikës moderne të shekullit XX. Bartók është i njohur për këtë lloj muzike, një kombinimin i modernes me folklorin. Vepra nis me tinguj të qetë e të ngadaltë teksa herë pas here theksohet ritmi i folklorit hungarez. Te këto pjesë vihen në pah manovrimet që pianistja duhet t‘i bëjë veçmas me dorën e majtë, e cila kërkon mbajtjen e theksave. Në proporcion me tinguj e butë ecin edhe lëvizjet e ngadalta të duarve të saj, të cilat duket sikur rrëshqasin nëpër tastierë. Shpërthimi i notave vjen te pjesa e tretë në “Allegro barbaro”.

Në kontrast me këtë kapitull të koncertit qe kur ajo u fut te veprat më muzikale e ritmike të Chopinit. Ishin të njohurat “Mazurka”, që i referohen një lloj vallëzimi tradicional polak, ato të cilat imponojnë lojën e shpejtë, dhe Hauser shquhet për kapërcime të tilla të cilat sjellin tinguj të fortë e të thekshëm. Edhe këso teknikash ia shpërfaqin individualitetin e saj si pianiste me shumë përvojë.

Pas duartrokitjeve të gjata të publikut, në shenjë falënderimi, Hausner interpretoi shtesë edhe një pjesë të vogël për piano. Ende nën emocionet e skenës ajo ka treguar se është ndier e lumtur me mikpritjen e publikut dhe të organizatorëve të Festivalit. Ka vlerësuar veçmas pianon në të cilën ka performuar, e cila u ishte përshtatur me përpikëri prekjeve të lehta të saj.

“Kjo është hera ime e parë në Kosovë. Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe kam luajtur në Shtëpinë e Operës, por në Prishtinë kjo është hera ime e parë. U ndjeva shumë mirë dhe njerëzit janë shumë të sjellshëm, kështu që kalova një kohë shumë të mirë. Nëse do të thosha të vërtetën në fund, në notën e fundit u ndjeva shumë mirë. Mendoj që kjo është një piano shumë e mirë. Prekja ime është shumë e butë dhe sensitive dhe ky lloj i pianos është shumë i mirë për mua dhe për këtë u ndjeva shumë mirë”, ka thënë ajo.

Related posts

Fëmijët e prindërve të shkurorëzuar kanë më shumë probleme shëndetësore

Gazetamax.mk

Cilat pjesë të perimeve nuk duhet të hidhen

Gazetamax.mk

Zbulohen tunele sekrete midis kafkës dhe trurit

Gazetamax.mk