GazetaMax
Lajme

Njohësi i sigurisë Ibishi: Ka tendenca për ngritje të tensioneve

Betimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq shkoi mirë, kjo edhe falë organizimit të mirë operacional të Policisë së Kosovës, për ta mbajtur rendin e qetësinë, por edhe për faktin se nuk kishte reagime nga pala serbe, sepse ashtu urdhëroi presidenti i tyre Vuçiq. Kështu ka thënë në emisionin në RTK, Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.

Përkundër faktit se sot gjithçka shkoi mirë sa i përket betimit të kryetarit në Mitrovicë të Veriut, ai nuk e përjashton mundësinë e ndonjë incidenti gjatë inaugurimit të kryetarëve të tjerë në tri komunat tjera në veri, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Kjo, pasi sipas tij, menjëherë pas betimit të kryetarit në Komunën e Mitrovicës së Veriut, reaguan Lista Serbe dhe i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilët deklarojnë se Policia e Kosovës e ka okupuar veriun.

 

“Ata nuk e shohin Policinë e Kosovës si mbrojtës të rendit e të qetësisë por e akuzojnë atë. Javën e ardhshme pritet inaugurimi i kryetarëve në tri komunat tjera. Ka paralajmërime dhe kërcënime për destabilizim të mundshëm, kjo me urdhrat e një vendi fqinj, Serbisë, përmes Vuçiqit dhe përcillet përmes Listës Serbe dhe ekstremistëve, që janë nën urdhrat e presidentit serb dhe i zbatojnë ato që u thuhet. Prandaj, nuk i përjashtoj incidentet”, tha Ibishi.

Ai pohon se Komuna e Mitrovicës së Veriut ka qenë më e lehtë, ka qenë një lloj pilot – projekti, ndërsa në tri komunat tjera do të jetë më e vështirë. Megjithatë, Ibishi beson se gjithçka do të kalojë mirë edhe do të ketë forca të mjaftueshme për ruajtjen e rendit e qetësisë, edhe pse mendon se do të ketë tendencë për përkeqësim dhe ngritje të tensioneve.

“Besoj se betimi i kryetarëve do të bëhet një nga një dhe pa probleme dhe pastaj do të ketë ecje më të lehtë në inaugurimin e asambleve të komunave. Qëllimi i Vuçiqit është i qartë, destabilizimi i veriut, krijimi i asociacionit të plotë, autonomi dhe largim të Policisë së Kosovës nga veriu vendit”, ka thënë pos tjerash Ibishi.

Related posts

Kritika për gjyqësorin dhe liritë ekonomike, vendi i parafundit në listë!

Gazetamax.mk

Qeveria sot mbanë seancë

Gazetamax.mk

Bie besimi ndaj institucioneve…

Gazetamax.mk