Është krejt e dallueshme revolta e saj e shprehur me lëvizje të vrazhda e të shpejta. Megjithatë, ka ngjyra dhe ato janë mjeti i reagimit të artistes Mimoza Sahiti. Me ekspozitën “Status” që vjen në kuadër të edicionit të 11-të të “FemArtit”, ajo reagon për pozitën e gruas, zbërthen qasjen ndaj identitetit e ndaj kapitalizmit. Luan edhe me kontraste në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina”
Ish-objektit të klubit të boksit “Prishtina” i është rikthyer fryma me art edhe të enjten mbrëma sikurse tash e një kohë prej qendrës për art bashkëkohor “Stacion”. Veprat e Sahitit janë kontrast i ambientit. Muret e rrjepura dhe dyshemeja prej betoni janë veshur me art. Estetika duket sikur kërkon të çojë krye midis ftohtësisë së një objekti të lënë pas dore, i rikthyer në funksion me artin si aktivizëm.
Pëlhurat e shtrira vijnë si mozaik ndërlidhjesh të ngjyrave të ftohta e të ngrohta. Të parat dominojnë më shumë. Subjektet janë abstrakte e fytyrat janë të panjohura për publikun. Krijohet iluzioni për mbulimin e tyre e zëvendësimin me ato të kafshëve. Kontrapunkt janë dy vepra me të cilat publiku ka takimin e parë me të hyrë në objekt. Gruaja tradicionale e ajo moderne sikur janë në komunikim. Janë në rrethana të ngjashme, pos veshjes. Disa provokojnë goxha publikun në eksplorim të tabuve në shoqëri.
Ndrojtja e gruas vjen në simbolikën e kryqëzimit të duarve të njërës prej pikturave ku e kuqja dominon me krejt nuancat e saj. Tek mban supet sikur gjen ngushëllimin dhe vetveten si përkrahje e vetme. Theksi vihet te patriarkati sidomos me pikturën e burrit, që personifikohet prej kostumit, derisa mban foshnjën në duar. Ka kokën e çrregullt dhe kjo vjen si pasqyrim për pikëpamjen ndaj paragjykimeve të shoqërisë.
Autorja e tridhjeteshtatë veprave e lindur dhe rritur në Offenbach të Gjermanisë, ka nisur të punojë në këtë cikël dy vjet më parë. Këtu përfshihen edhe veprat që ishin prezantuar në kuadër të çmimit për artistët e rinj “Artistët e së nesërmes”, organizuar nga “Stacioni” e pikërisht aty qenë ekspozuar një pjesë e veprave vitin e kaluar. Tash janë bërë krejt bashkë në njërën nga dy dhomat ekspozuese. Veç një vepër e re është bashkuar aty, ndonëse qëndron e veçantë në tokë, nuk dallon aspak me mesazhet që përcjellin të tjerat.
Siç ka treguar artistja Sahiti, krejt kishte nisur kur ajo ishte kthyer në Kosovë dhe ishte njoftuar me shoqërinë. Për të kishte qenë e çuditshme pasi e kishte parë veten të mbërthyer në pikturë si kurrë më parë.
“I përmbledh shumë temat feministe, të kapitalizmit e kriticizmit ndaj sistemit në të cilin jemi duke jetuar. Në momentin kur jam përballuar me këto probleme që i kemi në Kosovë, kam qenë shumë e ndikuar prej pikturës. Ato në dhomën e madhe janë shumë të lidhura me Vjenën, por të njëjtën energji e kanë sepse lidhen tema të ndryshme”, ka shpjeguar Mimoza Sahiti për veprat. Për të, “Status” është ekspozita e dytë personale.
Për krijimet e saj ka thënë se është energji që buron përbrenda saj dhe se ka të bëjë me luftën për të qenë vetvetja, për ta dalë nga ajo për çfarë shoqëria e kufizon.
“Është një rebelim që vjen për njerëzit, që ka qenë dhe që do të jetë. Mendoj se me pikturë mund të tregosh shumë dhe këtë funksion ka arti në përgjithësi: ta prekë njeriun”, është shprehur artistja Sahiti e cila aktualisht studion artin në Vjenë.
Sipas shkrimit kuratorial, Sahiti ka bërë gjithmonë art, por se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë në periudhën mes vitit 2020 dhe 2022 e kishte rizbuluar praktikën e saj artistike. Puna e saj ishte përfshirë në Koleksionin Kombëtar të Artit Bashkëkohor nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës vitin e kaluar. Gjithashtu, ka marrë pjesë në disa ekspozita grupore, duke përfshirë çmimin prestigjioz “New Grand”, në bienalen “Manifesta 14” në Prishtinë, “Clubbing Insistence: After a Party, Toplocentrala” në Qendrën Rajonale për Art Bashkëkohor në Sofje të Bullgarisë, në Pavijonin e Artit Pamor “Varg e Vi” në Gjilan. Vitin e kaluar pati edhe ekspozitën e saj të parë personale “Qumësht dhe mjaltë” në “Studio Room Five” në Prishtinë. Mimoza Sahiti jeton dhe punon midis Vjenës, Austri dhe Prishtinës, Kosovë.
Artistja Sahiti ka një Bachelor të Shkencave në Ekonomi, ka studiuar Art, Media dhe Edukim Kulturor në Universitetin Goethe të Frankfurtit dhe aktualisht është duke studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë.
Sipas jurisë “Artistët e së nesërmes”, veprat e saj sfidojnë konventat tradicionale në pikturë. “Në përshkrimet e saj të figurës njerëzore, një ndjenjë frike dhe cenueshmërie pasqyron shqetësimet e saj rreth statusit të gruas në shoqëri dhe natyrës së pasigurt të ekzistencës njerëzore në përgjithësi”, shkruhet në vlerësimin e jurisë që ishte kryesuar prej kuratores britanike, Anne Barlow.
Prej anëtarëve të jurisë ka qenë edhe artisti Driton Selmani, i cili ka vlerësuar se artistja e ka lënë ekspozitën të papërfunduar, dhe këtë qëllimisht. Për Sahitin ka thënë se e përfaqëson një rrymë të pikturës bashkëkohore në vend dhe se pozicioni i saj në këtë drejtim do të fuqizohet edhe më tej.
“E çmoj punën e saj, ndoshta është një kombinim i frustrimit dhe një lloj pozicioni i feminizmit radikal, por që shkrihet në pëlhurë. Kjo është shumë interesante. Nuk e shoh shpesh këtë mënyrë të protestës, të kristalizimit të ideve në pëlhurë. Mua më ka munguar një lloj pikture që është e vrazhdë në skenën tonë të artit”, ka thënë Selmani.
Kuratori i ekspozitës, Albert Heta, për njërën pjesë të ekspozitës ka thënë se ka qenë ideja të rikrijohet si qasje kuratoriale dhe artistike si dhe të tregohet vazhdimësia e përpjekjes artistike. Ka thënë se me to “ishte tentuar të përballen vepra që dalin prej pikturës tradicionale, që e sfidojnë atë”. Sipas tij, domethënëse është vendosja e veprave.
“Ka të bëjë shumë edhe me qasjen me të cilën sfidohet edhe vertikalja, që shihet edhe si aspekt teorik i një hegjemonie mashkullore në përgjithësi, edhe në art. Por edhe përmbledh vrojtimin e artistes duke krijuar vepra aktualisht, sepse ajo punon kryesisht duke e pasur pëlhurën në tokë. Ky ka qenë edhe pikëtakimi i parë imi me pikturat e saj, kanë qenë në tokë”, ka thënë Heta që është edhe drejtor e themelues i qendrës për art bashkëkohor në Prishtinë, “Stacion”.
Ekspozita “Status” është hapur në bashkëpunim me qendrën për art dhe komunitet “ArtPolis” në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit për art feminist “FemArt”. Publiku do të mund ta shohë botën artistike të Mimoza Sahitit deri më 17 qershor.