GazetaMax
LIFESTYLE

PËR NJË ÇMIM KOMBËTAR ME EMRIN E ASDRENIT

Vite më parë kam diskutuar me kolegë nga Korça për një iniciativë të tyre për të organizuar një manifestim të përhershëm letrar me emrin e Aleks Stavre Drenovës – Asdrenit, si dhe për ndarjen e një shpërblim me emrin e tij. Me duket se kjo iniciativë ende nuk është vjetruar. Ja arsyet pse e konsideroj se duhet të kemi një Manifestim letrar me emrin e Asdrenit:

1. Asdreni është një prej personaliteteve më të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit XX. Me jetën dhe me veprën e tij Asdreni, ndërlidh si pothuajse asnjë personalitet tjetër: Lëvizjen Kombëtare të Rilindjes së shekullit XIX me kryengritjet kombëtare për pavarësi, të gjysmës së parë të shekullit XX. Me aktivitetin e tij kombëtar gjithnjë në frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ai edhe në gjysmën e parë të shekullit XX, kur ndikimi i Kolonive shqiptare nga Lindja ishte zbehur shumë, vazhdon ndikimin e tij në Atdhe. Ndikimi i tij në Atdhe, përkatësisht në gjithë hapësirën shqiptare të kësaj kohe është i shumëfishtë: politik, arsimor, kulturor etj. A është kjo arsye e mjaftueshme që të kemi një Manifestim letrar, i cili do t’i mblidhte krijuesit brenda hapësirës shqiptare dhe atyre nëpër botë.

2. Asdreni është personaliteti dhe krijuesi më i rëndësishëm në letërsinë shqipe pas Naim Frashërit dhe bardëve të Rilindjes Kombëtare, si dhe personaliteti më me ndikim në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm në Koloninë e Bukureshtit po edhe në zhvillimet e shoqërisë brenda hapësirës shqiptare. E megjithatë as në kontekstin historik as në kontekstin krijues nuk mund të thuhet se është çmuar dhe vlerësuar jeta dhe vepra e tij (përjashto monografinë e Akademikut Rexhep Qosja, shkruar 40 vjet më parë), prandaj një manifestim kombëtar me emrin e tij do të thoshte vlerësim i drejtë i personalitetit të tij historik dhe krijues, nga brezi ynë.

3. Asdreni është krijues që në historinë e letërsisë shqipe është bashkëkohës i Filip Shirokës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Ndoc Nikajt etj., me ndikim të madh në jetën krijuese dhe kombëtare të kohës, që nga historianët e letërsisë herë është vënë në periudhën e romantizmit e herë në letërsinë kalimtare dhe më në fund edhe në periudhën mes dy luftërave botërore, që mbulon formacionin realist, neoklasicist dhe simbolist të letërsisë shqipe. Por, si në epokën e tij ashtu edhe në periudhën pas vdekjes së tij e në brezin tonë, shumë çmime letrare mbajnë emrat e bashkëkohësve të tij apo të paraardhësve a pasardhësve të tjerë, po jo edhe të Asdrenit. Kjo është arsyeja pse një Manifestim me emrin e Asdrenit do të ishte respekt për veprën e tij letrare dhe për epokën letrare të kohës sonë.

4. Asdreni është autori i disa veprave të rëndësishme letrare që mbulojnë dy periudha letrare, por pjesa më e madhe dhe më e mirë e saj, i takon letërsisë postromantike me temat, dhe realiste me strukturën stilistike e estetike. Kjo do të thotë se ai nuk ishte nga ata bashkëkohës të tij, romantik të vonuar, por krijues me njohje të mirë të krijimtarisë letrare të kohës në Europë. Sigurisht kjo është arsyeja pse në Antologjinë e lirikës shqipe ai zë hapësirën më të madhe dhe më të rëndësishme të kësaj periudhe. Kjo është arsyeja pse një Manifestim letrar dhe një çmim për poezinë më të mirë të këtij manifestimi do t’i bënte nderë Asdrenit dhe secilit krijues të kohës sonë.

5. Asdreni më në fund është autorë i Himnit kombëtar. A nuk do të ishte kjo një arsye e mjaftueshme që të kemi një Manifestim letrar dhe një Çmim për personalitete dhe krijues që i bashkon jeta dhe vepra në sendërtimin e idealeve kombëtare, sikur i bashkonte Asdreni dikur me jetën dhe veprën e tij.

Related posts

Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme

e-max

Studimi zbulon efektin anësor të pazakontë të paracetamolit që vë në pikëpyetje shitjen pa recetë

e-max

Ibrahairartist e zbukuron ish-missin shqiptar

e-max