GazetaMax
Lajme

Polonia thotë se po monitoron situatën në kufirin me Bjellorusinë

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë po monitoron situatën në kufirin me Bjellorusinë dhe është e përgatitur për skenarë të ndryshëm, thanë zyrtarë të ministrisë të enjten.

“Kufijtë e Polonisë janë të sigurt, ne po monitorojmë situatën në kufirin tonë lindor në mënyrë të vazhdueshme dhe jemi të përgatitur për skenarë të ndryshëm”, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të dërguar me email agjencisë së lajmeve Reuters.

Rritja e vigjilencës së Polonisë vjen pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes bjelloruse se mercenarët nga Grupi Wagner i Rusisë do të ndihmojnë në trajnimin e forcave speciale bjelloruse gjatë stërvitjeve në një poligon ushtarak pranë kufirit me Poloninë, e cila është anëtare e NATO-s.

Në një video të publikuar të mërkurën, Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, u pa duke mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi.

Ai i informoi ata se, për momentin, nuk do të përfshiheshin në luftën e Ukrainës, por i udhëzoi ata të përgatiteshin për aktivitetet e ardhshme në Afrikë duke ndihmuar në stërvitjen e ushtrisë bjelloruse.

“Forcat e armatosura të Bjellorusisë vazhdojnë stërvitjen e përbashkët me luftëtarët e Wagner”, tha Ministria e Mbrojtjes bjelloruse.

Polonia tha në fillim të këtij muaji se do të dërgojë 500 policë për të forcuar sigurinë në kufirin e saj me Bjellorusinë për të përballuar rritjen e numrit të emigrantëve që kalojnë, si dhe çdo kërcënim të mundshëm pas zhvendosjes së mercenarëve të Wagner në Bjellorusi.

Rebelimi i dështuar i Wagner më 23-24 qershor është interpretuar nga Perëndimi si një sfidë ndaj sundimit të presidentit rus Vladimir Putin, dhe është thënë që ai ilustron dobësinë e tij dhe tensionin që ka shkaktuar lufta në Ukrainë ndaj shtetit rus.

Kremlini e kundërshton këtë interpretim dhe thotë se populli rus është mbështet Putinin dhe ushtrinë.

Një marrëveshje u arrit më 24 qershor, sipas së cilës mercenarët do të lëviznin në Bjellorusi në këmbim të heqjes së akuzave kundër tyre.

Putin tha se luftëtarët ose mund të largohen për në Bjellorusi, ose të vihen nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes, ose të kthehen te familjet e tyre.

Ëagner ka humbur 22 mijë nga ushtarët e vet në luftën në Ukrainë, ndërsa 40 mijë tjerë janë plagosur dhe deri 10 mijë prej tyre do të shkojnë në Bjellorusi.

Komandanti i lartë i njohur me nofkën e luftës “Marx”, shefi i shtabit të Ëagner, tha në postim se gjithsej 78,000 burra të Wagner kishin marrë pjesë në atë që ai e quajti “udhëtim biznesi në Ukrainë”, 49,000 prej tyre janë ish të burgosur.

Wagner ndihmoi Rusinë të aneksonte Krimenë në vitin 2014, luftoi militantët e Shtetit Islamik në Siri, operoi në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali, dhe pushtoi qytetin ukrainas të Bahmutit për Rusinë në fillim të këtij viti.

“Deri në 10 mijë luftëtarë kanë shkuar ose do të shkojnë në Bjellorusi”, tha ai. “Rreth 15 mijë kanë shkuar me pushime”.

Postimi kundërshtoi vërejtjet e një ligjvënësi rus i cili tha se rreth 33,000 luftëtarë të Wagner kishin nënshkruar kontrata me ministrinë e mbrojtjes.

Related posts

Lëndohet në rimorkio të traktorit, një grua dërgohet në QKUK

Gazetamax.mk

Edhe alarmet e sotme për bomba ishin të rreme

Gazetamax.mk

Pandov: VMRO do të bëjë gjithçka për ta festuar 4 shkurtin me nder dhe dinjitet

Gazetamax.mk