GazetaMax
Ballina

BEI Globale siguron mbështetje shtesë për përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në Tiranë

BEI Globale, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve për aktivitete jashtë Bashkimit Evropian, do të ofrojë një grant për asistencë teknike me vlerë 1 milion euro për të ndihmuar bashkinë e Tiranës të përmirësojë rrjetin e saj të shpërndarjes së ujit dhe të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me ujë. Mbështetja në formë konsulence do të mundësojë shtrirjen e suksesshme të projektit që synon përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në bashkinë e Tiranës, duke forcuar njëkohësisht kapacitetet zbatuese të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë (UKT). Pas përfundimit, investimi do të ndihmojë në përmirësimin e aksesit në furnizimin me ujë për mbi 800 000 njerëz, reduktimin e humbjeve të ujit dhe modernizimin e sistemit të qytetit për menaxhimin e ujit.

Zëvendëspresidenti i BEI, Kyriacos Kakouris, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, tha: “Me pothuajse 30% të të gjithë popullsisë shqiptare që jeton në Tiranë, BEI Globale njeh nevojën për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit mes sfidave në rritje për popullsinë, infrastrukturën dhe klimën. Ky grant do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për zbatimin me më shumë efikasitet të projektit, i cili do të sjellë shërbime moderne, të vazhdueshme dhe të besueshme dhe furnizim me ujë në Tiranë. Ne po rrisim me shpejtësi mbështetjen tonë në formë konsulence për Ballkanin Perëndimor për të sjellë më shumë burime, ekspertizë dhe projekte në terren në përputhje me standardet e BE-së, për të garantuar rritjen ekonomike, tranzicionin e gjelbër dhe të ardhmen e qëndrueshme për qytetarët e tij”.  

Marrëveshja e grantit është nënshkruar në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë, në prani të nënkryetares së bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani dhe Zyrtarit Global të Kredive të BEI për Shqipërinë, Konstantinos Mastrogiannopoulos. Ai plotëson kredinë e BEI të nënshkruar me bashkinë e Tiranës në vitin 2021.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha: “Jemi të lumtur për këtë bashkëpunim të ri me Bankën Europiane të Investimeve, i cili kam bindjen se, ashtu si me projektet e hershme mes nesh, do të jetë po aq i frytshëm për qytetarët e Tiranës. Projekti që nënshkruajmë sot është i një rëndësie të veçantë për Tiranën sepse synon përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit, ndërtimin e tubacioneve të reja, dhe furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me ujë për rreth 800.000 banorë, në përputhje me standardet e përcaktuara në Direktivën e Ujit të Pijshëm 98/83/EC.”

Që nga viti 2021, banka e BE-së ka dhënë më shumë se 6 milionë euro në grante për asistencë teknike për Shqipërinë. Me këto fonde, banka po mbështet edhe bashkinë e Tiranës në rizhvillimin urban të zonës buzë lumit Lana, duke përfshirë riorganizimin e rrugëve dhe infrastrukturës përkatëse. Gjithashtu, ajo po ofron asistencë teknike për zhvillimin e një programi investimi në zonën afër kufijve me Malin e Zi përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, në rrugën hyrëse kryesore të Alpeve Shqiptare. Së fundmi, Banka po mbështet sektorin hekurudhor shqiptar duke ofruar një grant për asistencë teknike për përgatitjen e projektimit paraprak të një sektori hekurudhor si pjesë e Korridorit VIII.

Related posts

Ish-kryenegociatori Arifi: Nuk e deshën Aliun e UÇK-në morën Mickovskin dhuratë, me ndihmë jo të vogël të Kurtit

Gazetamax.mk

Shkon për t’i dhënë lamtumirën e fundit shoqes së Nezir Zogajt, Ahmeti: Shtëpia e tyre ishte strehimorja jonë

Gazetamax.mk

Viktorija Nuland takon Petkov dhe Osmanin

Gazetamax.mk