-Taravari “pështyn” e pastj “fshin”, një herë nuk deshi(a mos deshi ta manipulojë vetë opozitën apo publikun), e pastaj pranoi, me çka doli “i pari”, pra, figura nr.1 e LEN-it
Më e reja në skenën politike ndër ne është se me shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, vjen dhe kandidati shqiptar. Ky është Arben Taravari, kandidati I përbashkët i opozitës shqiptare.
Nuk është as i pari, as i fundit kandidat shqiptar që ka sprovuar fatin në zgjedhje presidenciale në Maqedoni.
Ndonjëherë ka pasur dy a më tepër kandidatë, ku kanë matur forcat partitë shqiptare për të bërë kapital politik nëse njëri mund tjetrin, ndonjëherë vetëm një. Nuk dihet nëse do të ketë një kandidat tjetër, ose më tepër sish kësaj radhe, as se a do të merret ndonjë përkrahje plotësuese nëse vërtet mendon të zgjidhet(bie fjala, që kandidaturën e Taravarit ta përkrahë partneri i preferuar i koalicionit të ardhshëm, VMRO-DPMNE?).Por, ajo që mund të thuhet tash pas zyrtarizimit, është një jokonsekuencë nga Taravari brenda pak ditësh, në shumë drejtime.
Pse? Ai vetëm për rreth dhjetë ditësh ndërron qëndrim.
Kur qe përfolur nga lideri i Besës, Kasami se Taravari do të jetë kandidati presidencial i LEN-it, lideri i atëhershëm ende i pashkarkuar i ASH-së, pat deklaruar se nuk ka ambicie të këtilla! E kishte përnjëmend këtë kur e deklaroi, a mos mendoi se ashtu vetëm mund të “digjet” ndaj dhe u ngut të refuzonte, apo ishte vetëm një deklaratë taktike, para se ta zyrtarizojë kandidaturën.
Ose ndoshta në gjithë këtë ishte një lojë mirë e menduar nga dr.Taravari, që duke u bërë kandidat presidencial, t’i kalojë më lehtë problemet që i krijoi në ASH me përçarjen rreth kalimit në opozitë. Bashkimi i forcave me LEN-in, me një ASH të dobësuar, do të ishte një hendikep i madh për të, mirëpo, me pranimin e ofertës për kandidat presidencial, për të cilën njëherë thoshte se nuk do të bëhet, ja ka dashur ta shtrëngojë daullen, ja ka dashur të manipulojë edhe publikun, edhe partnerët e koalicionit. Ndoshta u frikësua nga deklaratat e Bilall Kasamit që nëse nuk pranon Taravari, do të bëhet vetë, ku të dishë, taktika, e taktika pa fund…Kështu, ai del në plan të parë, harrohet përçarja në ASH dhe del emeri më i përfolur në LEN.
Sido që të jetë, publiku ka mbamendje të fortë për gjëra që ndonjë politikan ose kushdoqoftë tjetër që publikisht mund t’i ketë thënë para shumë vitesh ose dekadash, sepse ato mbeten të regjistruara dhe të botuara, e lere më kur ndryshon fjalët vetëm pas dhjetë ditësh.
Na kujtohet një titull karakteristik për një politikan jokonsekuent në shtypin amerikan: A mund t’i besoni dikujt që i ndërron fjalët? A mund t’i besoni dikujt që si ndonjë “noter” i pasigurt i kohëve të shkuara, kur pasi diçka shkruante në letër, mundohej ta fshijë me pështymë…