Sot është nata e Kadrit dhe sipas fesë islame, agjërimi në këtë ditë konsiderohet i vlefshëm sa një mijë muaj. Nata e Kadrit shënon zbritjen e Kuranit në Tokë dhe fillimin e shkrimit të librit të shenjtë.
Sipas predikuesve fetarë, agjërimi dhe lutjet ndaj Zotit në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe jetën e njeriut gjatë një viti. Nga agjërimi i kësaj dite nuk përjashtohen dhe shumë njerëz, që edhe pse nuk janë muslimanë, u bashkohen miliona agjëruesve muslimanë në mbarë botën. Sipas predikuesve të fesë, mjafton që të nderohet kjo natë, pasi sipas tyre, Zoti ia ka kushtuar një kaptinë të plotë me këtë emër në Kur’an, që quhet Suretul Kadr.
Ajetet e para të cilat zbritën në këtë Natë të veçantë kishin të bëjnë me leximin dhe diturinë, e cila tregon qartazi përcaktimin e lartë të fesë Islame në shkollimin, arsimimin dhe edukimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (El-Kadr, 1-5).