Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar Departamentin e Shtetit të shqyrtojë llogaritë në rrjetet sociale të aplikantëve të huaj për viza amerikane që kanë vizituar Rripin e Gazës gjatë 18 viteve të fundit.
Kërkesa, të cilën e ka parë agjencia reuters, përfshin të gjitha vizat emigrante dhe jo-emigrante për SHBA, përfshirë ato studentore dhe turistike, për njerëz që kanë kaluar “çfarëdo kohe në një rol zyrtar apo diplomatik” në Gaza më 1 janar 2007 ose më pas.
Punonjësit dhe vullnetarët e organizatave joqeveritare gjithashtu do t’i nënshtrohen shqyrtimit amerikan.
Nëse kontrolli i rrjeteve sociale zbulon ndonjë “informacion potencialisht të dëmshëm që lidhet me çështje sigurie”, atëherë aplikimi për vizë amerikane do të kalojë përmes një hetimi ndër-agjencish për të përcaktuar nëse aplikanti mund të paraqesë rrezik për sigurinë kombëtare, thuhet në kërkesë.
Ajo është nënshkruar nga Rubio, i cili më parë ka deklaruar për mediat se zyra e tij ka anuluar mbi 300 viza që nga fillimi i këtij viti. Ndër to janë edhe mbajtës të vizave studentore që kanë kritikuar luftën izraelite kundër Gazës, edhe pse Kushtetuta e SHBA mbron lirinë e shprehjes për këdo që ndodhet në SHBA, pavarësisht statusit të vizës.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trumpit më parë ka deklaruar se veprimet e studentëve paraqesin kërcënim për politikën e jashtme amerikane. Presidenti ka nisur gjithashtu një betejë të drejtpërdrejtë me universitetet, të cilat janë bërë qendra protestash të mëdha që nga fillimi i gjenocidit izraelit në Gaza, më 7 tetor 2023.
Beteja më e fundit e Trumpit është me Universitetin e Harvardit. Presidenti ka ngrirë mbi 2 miliardë dollarë fonde federale për universitetin, pasi ky i fundit ka refuzuar të bëjë ndryshimet në politikë që kërkonte administrata e tij.
Ndryshimet përfshijnë heqjen e politikës së veprimit afirmativ në procesin e pranimeve, kontrollin e studentëve që mund të jenë “armiqësorë ndaj vlerave dhe institucioneve amerikane”, si dhe trajtimin e antisemitizmit në kampus.
Më herët këtë javë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se Harvard mund të mos jetë më në gjendje të pranojë studentë ndërkombëtarë për shkak të “ideologjisë së tij radikale” dhe mbështetjes për “rebelët e huaj që mbajnë viza dhe pedagogë [që] përhapin urrejtje antisemite”.