Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar paraburgim për njërin prej shtatë të arrestuarve në mëngjesin e sotëm, si të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik.
Prokuroria në një njoftim për media ka dhënë inicialet e të arrestuarve, e që mësohet se janë Rejan Bela, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen e rreshterit Rejan Bela, 18-vjeç, i cili dyshohet se e ka kryer krimin në moshën 17-vjeçare, Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të veprës penale Vrasja e rëndë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01.04.2025, reth ores 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, i mituri ne bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesen e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimesi nga madhorët deri te hymja e banesës se tij ku,pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.”, thuhet në njoftim.
Viktima M.L., dërgohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik dhe nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, andaj, me këto veprime në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.