GazetaMax
Lajme

Pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun, rritet prania policore në Sarajevën Lindore

Rreth 20 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës Sërpska (RS) u vendosën të enjten, më 24 prill, para qendrës administrative të Qeverisë së këtij entiteti në Sarajevën Lindore, një ditë pasi u pengua hyrja e pjesëtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në atë ndërtesë.

Siç raporton reporteri i Radios Evropa e Lirë (REL), policët po pengojnë qasjen në ndërtesë, para të cilës ndodhet një grup gazetarësh, ndërkohë që nuk ka konfirmim zyrtar nëse presidenti i RS-së, Millorad Dodik, ndodhet brenda saj.

Protokolli i presidentit të RS-së parashikon që ai të marrë pjesë të enjten në mesditë në hapjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit në Sarajevën Lindore, dhe më pas do të zhvillojë një takim me udhëheqësit e komunave Palle dhe Sokollac.

Policët e MPB-së së RS-së të mërkurën në mbrëmje ua ndaluan hyrjen pjesëtarëve të SIPA-s në ndërtesën e Qendrës Administrative në Sarajevën Lindore, në kohën kur Dodiku po zhvillonte një takim me përfaqësues të Qytetit të Sarajevës Lindore.

Nga SIPA konfirmuan për REL-in se pjesëtarët e kësaj agjencie kishin synuar të vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe se nuk ka pasur përdorim force.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e RS-së, Nenad Stevandiq dhe Radovan Vishkoviq, është i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mes të marsit është lëshuar një fletarrestim qendror ndaj tyre në Bosnje e Hercegovinë, pasi ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Prokurorisë për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore.

Paraprakisht, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës i kishte kërkuar Interpolit ta rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e fletarrestimit të kuq për përfaqësuesit e udhëheqjes së entitetit të RS-së.

Në fund të shkurtit, Dodiku u dënua në shkallën e parë nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, shkruan Radio Evropa e Lirë.Një ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Dodikut, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje antikushtetuese për ndalimin e funksionimit të katër institucioneve shtetërore në RS./REL/

Related posts

Petrovska: Duhet t’i thyejmë të gjitha stereotipet për gratë në pozita udhëheqëse

Gazeta Max

Rashidi: ASH nuk do të përfshihej në qeveri

Gazeta Max

Peçi: Shqipëria s’ka dhurues sperme, e marrim nga vendet e BE-së

Gazeta Max