GazetaMax
Lajme

E quajtën “Akt i rëndë dëshminë e Sekiraqës në Hagë”, ish- agjenti i SHIK-ut reagon “ashpër” ndaj OVL-së: Është zëdhënëse e…

Enver Sekiraqa dyshohet se ka dhënë dëshmi në Gjykatë Speciale. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një komunikate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me rastin e Enver Sekiraqës, lirimi i të cilit u bë përmes vendimit të gjyqtarit Agim Kuçi.

Nga OVL e UÇPK-së, thuhet se, dyshohet se Sekiraqa, nga lirimi i tij, ka përfituar ‘‘për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.

‘‘Organizata e Veteranëve të UÇK-së e sheh këtë si një akt të rëndë dhe të qëllimshëm që mund të interpretohet si pjesë e një skenari të mirëkoordinuar kundër luftës sonë çlirimtare dhe vlerave që përfaqëson ajo. Të japësh liri një personi me të kaluar kriminale, i cili më herët ka shkelur masat e arrestit, është jo vetëm papërgjegjësi profesionale, por edhe cenim i drejtësisë dhe sigurisë kombëtare’’, thuhet mes tjerash në reagimin e organizatës.

Tutje, nga OVL kërkohet që të ketë hetim të menjëhershëm ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz, dhe që gjithashtu të qartësohet urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë.

Për këtë ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, i cili thotë se OVL nuk ka asnjë integritet që sot të kërkojë diçka.

Sipas tij, askush nuk i jep peshë fjalës së tyre.

“OVL-ja, një organizatë që shpesh shihet si zëdhënëse e interesave të klaneve politike, veçanërisht të PDK-së dhe AAK-së, përfaqëson një strukturë që përfshin mbi 70% të të ashtuquajturve veteranë të rremë. Ku ishin këta kur u votua Gjykata Speciale? Atëherë, kush nuk e votonte Gjykatën Speciale kundër UÇK-së, konsiderohej tradhtar, i lidhur me Rusinë, Kinën e Serbinë. Sot, kush e ndihmon atë gjykatë, sërish quhet tradhtar, i paguar nga Serbia – dhe kështu vazhdojnë përrallat…

OVL-ja nuk ka asnjë integritet që sot të kërkojë diçka, sepse askush nuk i jep peshë fjalës së tyre. Rasti i Enver Sekiraçës është ilustrues. Nëse ai ka dëshmuar në Gjykatën Speciale, duhet të kuptohet se kjo gjykatë është e Kosovës, e votuar nga shumica e deputetëve në Parlament – përveç Lëvizjes Vetëvendosje, që ishte kundër. Nuk e di me saktësi nëse ai ka dëshmuar apo jo, por nëse po, ai nuk ka shkuar ilegalisht atje – por ka bërë një marrëveshje me drejtësinë, që është e kuptueshme për natyrën e krimit për të cilin akuzohet”, shprehet Miftari.

Sipas tij, nuk ka dëshmi bindëse që pas vrasjes qëndron Enver Sekiraqa.

“Ndërkohë, Arben Berisha e ka pranuar vetë se ka kryer vrasjen e policit dhe është dënuar me 35 vjet burg. Nuk ka dëshmi bindëse që pas kësaj vrasjeje qëndron Enver Sekiraqa. Po të ishte Sekiraqa djali i Adem Grabovcit, apo i lidhur me Lushtakët apo me Haradinajt, do të ishte liruar moti si i pafajshëm – si nga burgu, ashtu edhe nga akuzat për nxitje të vrasjes. I vetmi që ka pasur mundësi ta fundosë Enver Sekiraqën ka qenë vetë autori i vrasjes, Arben Berisha – por ai nuk ka ndërmarrë një hap të tillë. Vrasja ka marrë kahje politike, edhe pse në thelb është një krim ordiner, për çështje të ulëta dhe hakmarrje që nuk kanë lidhje me politikën, por me moralin, paratë dhe luksin e të fortëve dhe të rrugaçëve. Nuk duhet harruar as fakti se një nga prokurorët në Gjykatën Speciale të Hagës është edhe prokurori që më parë ka dënuar Enver Sekiraqën në Kosovë me disa dhjetëra vite burg”, shprehet Miftari.

Sipas tij, në fund të ditës dënimi i Sekiraqës duhet të bëhet vetëm mbi bazën e fakteve bindëse.

“Në fund të ditës, askush nuk duhet të kryqëzohet apo dënohet vetëm mbi bazën e thashethemeve, inateve politike apo etiketimeve. Dënimi duhet të bëhet vetëm mbi bazën e fakteve bindëse. Tash jemi shtet, dhe gjykatat e prokuroria nuk na kanë ardhur nga qielli – i kemi kërkuar vetë, sepse kemi bërë hajgare me policinë, drejtësinë, dëshmitë, dëshmitarët dhe me të dëmtuarit.

Në shtetin tonë, drejtësia duhet të funksionojë dhe të jetë e njëjtë për të gjithë – jo drejtësi selektive, politike apo e kontrolluar nga klanet, ku krimineli me lidhje lirohet, ndërsa për të njëjtën vepër dënohet ai që nuk ka lidhje me pushtetin apo ish-pushtetin”, përfundon Miftari.

Related posts

Qyteti i Shkupit shkëputë kontratën me “Sloboda Prevoz”

Gazeta Max

Taravari takon ambasadorin holandez

Gazeta Max

Zëvendësministri Rexhepi: Lufta kundër korrupsionit një ndër prioritetet tona

Gazeta Max