GazetaMax
Lajme

Likova 20 vite pa transport publik: Komuna në procedura, qytetarët në hall, taksistët s’duan konkurrencë

Komuna e Likovës ende nuk ka arritur të sigurojë transport publik, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve. Sipas banorëve, disa taksistë nga ky rajon e pengojnë zgjidhjen e këtij problemi, ndërkaq këshilltarët komunalë thonë se është e domosdoshme të gjendet zgjidhje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse, që do të balancojë interesat e qytetarëve dhe taksistëve. Komuna arsyetohet se çështja ndodhet në procedura administrative pa mos dhënë detaje, shkruan Portalb.mk.

Disa banorë nga Likova në një bisedë për Portalb.mk theksojnë se një nga arsyet kryesore të mungesës së transportit publik në Komunën e Likovës është për shkak të kundërshtimit të disa taksistëve.

Këshilltarja komunale nga Lëvizja Besa, Nesrine Abazi thotë se njëherë duhet të ketë zgjidhje për taksistët, dhe pastaj të lëshohet transporti publik.

“Transporti publik është një zgjidhje e mirë për të gjithë e sidomos ata qe e kanë punën me orar por mendoj se duhet te shqyrtohet mirë pasi që komuna jonë është komunë rurale edhe problemet me punësimet janë goxha të mëdha edhe taksitë që punojnë privat mos të dëmtohen sepse un po kthehem në anën e atyre qe nuk kanë punë të sigurt punësimi dhe punojnë taksi për të mbajtur familjen prandaj të bëhet zgjidhje njëherë taksistëve te punësohen të ju sigurohen një rrogë minimale që mos të dëmtohen ata qytetar dhe ka një numër të madh që mbajnë familje edhe prandaj mendoj se duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat edhe në këtë aspekt nuk është bë transporti publik sepse dëmtohen shumë familje në komunën tonë nga 11 fshatrat qe i ka komuna”, tha Abazi.

Nga ana tjetër, këshilltari komunal nga BDI-ja Zekirja Shahini theksoi se gjatë mbledhjeve të këshillit kjo çështje është diskutuar disa herë dhe se ky problem duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë

“Këtë problem e kemi adresuar te kryetari, dhe së bashku e kemi parë të arsyeshme se duhet të ndërmerret diçka dhe të kemi transport publik pasi që kanë nevojë të gjithë banorët”, deklaroi Shaini.

Ai theksoi se çështja e taksistëve është një përvojë që ka ndodhur në të kaluarën, ku para mandatit të tij është lëshuar një autobus për transport publik, por është penguar nga sepse sipas tyre, kjo ua merr kafshatën e gojës, dhe i le pa punë. Sipas Shaint në bisedat e fundit me ta, taksistët janë kategorikisht kundër transport publik, pasi aty ato e sigurojnë të ardhurën për të ushqyer fëmijët e tyre.

“Por si do që jetë kjo punë duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë pa marrë parasysh domethënë edhe pse kam brengën e taksistëve se ato kanë nevojë për të ardhura i kuptoj se janë të gjithë familjarë, por edhe qytetarët të cilët kanë nevojë për transport publik…Mirëpo edhe taksistët duhet të kenë mirëkuptim sepse shembull autobusi mund të vijë dy apo tre herë në ditë, kurse në pjesën tjetër të ditës mund të punojnë ato. Kjo është nevojë e të gjithë qytetarëve, dhe mendoj se do të ketë një marrëveshje që askush mos të jetë i dëmtuar dhe do të zgjidhet kjo çështje”, shtoi ai.

Nga Komuna e Likovës thonë se çështja e transportit publik ende është në procedurë administrative.

“Ne jemi ende në procedura administrative. Po sa të kryhen të njëjtat, do vazhdohet me procedurat e tjera në vazhdim”, thanë nga Komuna e Likovës.

Portalb.mk pyeti Komunën e Likovës se për cilat procedura konkretisht bëhet fjalë, dhe se kur do të kryhen ato, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Ministria Transportit dhe Lidhjeve bëri të ditur se transportin publik e përcakton Komuna e Likovës.

“Sipas Ligjit për transport në trafikun rrugor, çdo komunë përcakton në mënyrë të pavarur kriteret dhe e rregullon transportin publik komunal me vendim të Këshillit së Komunës”, thanë nga Ministria e Transportit.

Ndryshe prej më shumë se dy dekadash, banorët e Komunës së Likovës kërkojnë vendosjen e transportit publik. Më të prekur nga mungesa e këtij shërbimi janë studentët, të cilët çdo ditë përballen me vështirësi për të udhëtuar drejt qytetit.

Megjithatë, edhe pse kërkesa për transport publik është e madhe dhe konstante, mungesa e transportit publik vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur.

Related posts

Lia e majmunëve arriti në Serbi

Gazeta Max

Xhepat po zbrazen, na pret një vit 2023 i vështirë

Gazeta Max

Grenell: Një gazetar në Tiranë m’i tregoi përgjimet, dëshmitë ndaj Thaçit u tërhoqën sepse u manipuluan nga Jack Smith

Gazeta Max