GazetaMax
Lajme

Protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së më 14 shtator në Hagë

Pas protestës së 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtaria protestuese do të vazhdojë në Hagë më 14 shtator.

Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke njoftuar se protesta do të zhvillohet në orën 14:00.

Sipas njoftimit, kjo protestë organizohet nga mërgata shqiptare, ndërsa mbështetet edhe nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë paraqitjen e provave për rastin e saj, tha trupi gjykues gjatë konferencës statusore që u mbajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, ka deklaruasr se idealisht shpreson që të përfundojë me provat dhe dëshmitarët deri në fund të tetorit. Por, do të dëshironte që të kishte kohë më pas – siç ka pasur edhe Prokuroria – për paraqitjen e mocioneve për prova jogojore.

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas prokurorisë, radhën do ta kenë ekipet mbrojtëse për të paraqitur çështjen e tyre.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Related posts

Rafajlovski: Punëdhënësi më i madh në vend, është shteti

Gazeta Max

Partisë “E Majta” i “djegë” që uniformat e policisë do të jenë edhe në SHQIP

Gazeta Max

Rrahje në Aeroportin e Prishtinës, tre të arrestuar

Gazeta Max