Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij në shkollën fillore “Jashar Bej Shkupi” në lagjen Duqanxhik, theksoi përkushtimin për përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zhvillimit të fëmijëve, përcjell PressOnline.al.
Mexhiti tha se plani i tij përfshin investime konkrete që synojnë modernizimin e infrastrukturës së shkollës dhe krijimin e hapësirave të reja mësimore dhe sportive. Në kuadër të projektit parashihen:
• rindërtimi dhe përmirësimi i ambienteve ekzistuese,
• ndërtimi i fushave sportive, shtimi i koshave për basketboll dhe porteve për futboll,
• rritja e sigurisë dhe ndriçimit para shkollës,
• krijimi i zonave të pushimit dhe zhvillimit të talenteve për nxënësit,
• zgjerimi i parkingut për lehtësinë e familjeve.
Ai theksoi se si kandidat për kryetar komune dhe në rolin e tij si Zëvendëskryeministër, do të garantojë që çdo investim të bëhet me transparencë dhe përgjegjësi, gjithmonë duke vendosur qytetarët në qendër të vendimmarrjes.
“Shkollat janë vendi ku fëmijët rriten bashkë me ëndrrat e tyre. Prandaj, çdo investim që bëjmë u hap mundësi të reja dhe i afron ata më pranë suksesit, duke i bërë ëndrrat e tyre realitet”, tha Mexhiti.