Për një komunë, veçanërisht rurale, është me rëndësi që krijimi i politikave të bazohet në komunikimin me qytetarët. Ajo që ne si komuna e Zhelinës duhet të punojmë drejtpërdrejt, është që mbi bazën e formave të ndryshme të komunikimit dhe takimeve me qytetarët, me banorët e të gjitha vendbanimeve, të arrijmë të krijojmë politikat dhe planet tona të punës, kështu theksoi në një bisedë me ne, Emir Sulejmani kandidat i BDI për kryetar të komunës së Zhelinës, i pyetur nëse qytetarët janë pjesa kryesore për marrjen e vendimeve në komuna.
Ai theksoi se një nga mënyrat është përmes bashkësive lokale, të cilat në mjediset rurale funksionojnë ndryshe dhe se, përmes aktiviteteve të tilla, së bashku me bashkësitë lokale, kryetarët dhe anëtarët e tyre, nëpërmjet një sërë takimesh e mbledhjesh, mundësohet planifikimi i përbashkët i funksionimit të komunës.
“Një element i rëndësishëm për një shoqëri të tillë është edhe planifikimi i buxhetit, i cili punohet para realizimit, përkatësisht një vit më parë për vitin kalendarik vijues. Ky plan bëhet mbi bazën e ideve dhe nevojave të qytetarëve, pikërisht nga ajo komunikim i drejtpërdrejtë që duhet ta ketë një kryetar komune, një këshill ose këshilltarë me qytetarët e vendbanimeve. Zhelina ka 18 vendbanime, ku është më e vështirë mbledhja e informacionit për të arritur deri te çdo banor dhe çdo vendbanim, por ne përpiqemi që përmes një sërë aktivitetesh si forume, bashkësi ose takime të përbashkëta, të marrim informacionet dhe në atë mënyrë të krijojmë politikat”, tha Sulejmani.
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe do të shfrytëzojë çdo takim me qytetarët për atë që pritet të realizohet në katër vitet e ardhshme sapo të vijë në krye të komunës.