GazetaMax
Lajme

Haqim Ramadani: Programi im do të shkruhet nga qytetarët – dëgjova hallet dhe prioritetet e banorëve të Gurgunicës

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Haqim Ramadani, e ka nisur fushatën e tij me një mesazh të qartë: programi që do t’i ofrohet qytetarëve nuk do të jetë një listë premtimesh të shkruara pas tavolinës në një zyrë, por do të vijë nga vetë banorët, nga problemet e tyre reale dhe nevojat e përditshme.

Këtë qasje ai e dëshmoi gjatë një takimi të mbajtur në fshatin Gurgunicë, ku u takua me banorët dhe dëgjoi nga afër shqetësimet dhe prioritetet që ata ngritën.

“Sot isha në fshatin Gurgunicë ku dëgjova nga afër hallet dhe prioritetet e banorëve. Programi im nuk do të shkruhet në zyre, por nga vetë qytetarët – nga nevojat e tyre të përditshme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë zgjidhje reale dhe zhvillim për të gjithë,” u shpreh Ramadani.

Banorët e fshatit theksuan mungesën e investimeve në infrastrukturë, përmirësimin e kushteve për bujqësi si dhe përkujdesjen më të madhe institucionale për jetën e përditshme të tyre. Ramadani u zotua se këto çështje do të përfshihen si prioritete në programin e tij.

Sipas tij, ky takim ishte vetëm fillimi i një serie takimesh që do të zhvillohen në të gjitha vendbanimet e Komunës së Bërvenicës, me qëllim që secili qytetar të ndjehet pjesë e vendimmarrjes dhe planeve zhvillimore.

“Vetëm duke i dëgjuar qytetarët mund të krijojmë një udhëheqje të drejtë dhe një program të vërtetë. Ata e dinë më mirë se kushdo tjetër se cilat janë hallet dhe prioritetet e tyre. Unë do të jem zëri i tyre,” shtoi Ramadani.

Takimi në Gurgunicë u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ku banorët shprehën pritshmëritë e tyre për ndryshim dhe një qeverisje komunale më afër qytetarëve.

Related posts

“Mbante dorën në gjoks…”, çfarë zbulojnë kamerat në tragjedinë te shkolla Fan Noli

Gazeta Max

Sot votohet për shefin e ri të Prokurorisë për Krim të Organizuar

Gazeta Max

Todorov në “Win-Win”: Ahmeti është ndër politikanët më me përvojë, nuk mund të luajë rolin e tij as LSDM e VMRO

Gazeta Max