Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një deklaratë për televizionin Telma, theksoi se pushteti qëllimisht po i hap dyert për parregullsi zgjedhore, pasi VMRO-DPMNE po humb një numër të madh votash.
“Mendoj se kjo bëhet me qëllim. Në një situatë kur gjithnjë e më qartë, nga disa burime, anketa e analiza, shihet se VMRO-DPMNE humb mbi 100 mijë vota, diku rreth 120 mijë, ata po shtrijnë dorë drejt mekanizmave që seriozisht mund ta rrezikojnë procesin zgjedhor dhe vetë demokracinë,” u shpreh Filipçe.
Sipas tij, deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski – se edhe një vit pas formimit të qeverisë fajtorët kryesorë për gjendjen në shtet mbeten LSDM dhe BDI – tregon paaftësinë totale të qeverisë.
“E dëgjova deklaratën e kryeministrit dhe më vjen keq që e dëgjova. Mendoj se kjo është pasojë e një paaftësie të plotë dhe mungesë kapaciteti për të menaxhuar dhe udhëhequr një shtet,” tha Filipçe.
Ai shtoi se megjithëse Gjykata Kushtetuese para disa muajsh mori vendim duke shfuqizuar pjesën e Kodit Zgjedhor për përqindjen e nevojshme të nënshkrimeve për kandidimin e listave të pavarura, pushteti qëllimisht e vonoi procedurën dhe solli propozim-ligjin vetëm pasi u shpallën zgjedhjet. Mos-sigurimi i mbështetjes nga partnerët e koalicionit VLEN për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas Filipçes, është përgjegjësi e plotë e kryeministrit dhe qeverisë.
“Mendoj se për këtë është përgjegjës vetëm kryeministri dhe koalicioni qeverisës. Për fat të keq, ata po hapin mundësi për abuzim të procesit zgjedhor, me qëllim që t’i shfrytëzojnë këto rrethana për interesat e tyre, sepse është e qartë që po humbin një numër të madh votash,” deklaroi Filipçe.
Kryetari i LSDM-së shtoi se ai dhe partia e tij do ta ndjekin me kujdes çdo taktikë dhe instrument që përdor pushteti dhe që mund ta rrezikojë procesin demokratik zgjedhor, duke u zotuar se do të reagojnë ndaj çdo abuzimi.