Në atmosferë entuziazmi dhe mbështetjeje të madhe, në fshatin Cërnilisht u mbajt një takim me strukturat dhe aktivistët e Aleancës Kombëtare për Integrim, ku u bë një prezantim i qartë i vizionit dhe synimeve për Komunën e Dollnenit. Ky takim shënon një fillim të mbarë në rrugëtimin tonë drejt fitores së bindshme në zgjedhjet lokale që po afrohen.
Kandidati për kryetar të Komunës së Dollnenit, z. Flamur Gjoleka, i pranishëm në këtë tubim, falënderoi nga zemra të gjithë qytetarët e Cërnilishtit për mikpritjen, besimin dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e ndryshimit të shumëpritur për këtë komunë.
“Mbështetja që mora sot më jep më shumë forcë dhe motivim për të vazhduar përkushtimisht punën që kemi nisur. Bashkë do të ndërtojmë një komunë moderne, funksionale dhe të drejtë, ku çdo qytetar do të ndjejë përfaqësim dhe zhvillim,” u shpreh z. Gjoleka gjatë fjalimit të tij.
Ai shtoi se programi i tij politik do të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës lokale, përkrahjen e bujqësisë, investimet në arsim dhe krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë, që ata të mos largohen, por të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendlindje.
Takimi në Cërnilisht dëshmoi qartë mobilizimin dhe energjinë pozitive që po shoqëron këtë fushatë. Aktivistët dhe qytetarët e pranishëm dhanë mesazhin e tyre të qartë: Dollneni është gati për ndryshim, dhe ai ndryshim do të vijë përmes Flamur Gjolekës dhe Aleancës Kombëtare për Integrim.