Kandidati për kryetar të Komunës së Zhelinës, Emir Sulejmani, ka shpallur një nismë të re që synon të fuqizojë lidhjen me mërgatën shqiptare nga kjo komunë, duke paralajmëruar hapjen e Zyrës për Diasporë – një hap konkret drejt përfshirjes më të madhe të bashkatdhetarëve në zhvillimin e vendlindjes.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Sulejmani thekson rolin jetik të diasporës ndër vite, duke i quajtur ata “krahët e fortë të Zhelinës”, që me punën dhe sakrificën e tyre kanë ndërtuar ekonomi familjare, kanë mbajtur në jetë fshatrat dhe kanë investuar në të ardhmen e brezave të rinj.
“Me djersën e tyre janë ndërtuar shtëpitë tona, janë shkolluar fëmijët tanë dhe është mbajtur gjallë jeta në çdo fshat të komunës,” shkroi Sulejmani.
Sipas tij, diaspora nuk duhet të trajtohet si mysafir që vjen vetëm për pushime apo për festa, por si pjesë aktive e jetës dhe zhvillimit të komunës.
“Do të hapim Zyrën për Diasporë, ku bashkatdhetarët tanë do të kenë derën hapur për çdo ide, çdo investim dhe çdo projekt të ri për Zhelinën,” shtoi ai.
Nisma është pjesë e platformës së tij për ndërtimin e një Zheline të re – me shpresë, zhvillim dhe dinjitet, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin brenda dhe jashtë vendit.
Kjo qasje ndaj mërgatës vlerësohet si hap modern dhe vizionar, duke i dhënë diasporës jo vetëm mirënjohje simbolike, por edhe hapësirë institucionale për përfshirje reale në jetën komunale – nga zhvillimi ekonomik, te arsimi, kultura dhe projektet e përbashkëta.