Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot ka mirëpritur një delegacion nga Vakarici i Italisë, të kryesuar nga kryetari Antonio Pomillo, në vizitën e tyre të parë në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit u theksuan lidhjet historike, gjuhësore dhe kulturore që ekzistojnë mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe komunitetit arbëresh, të cilat, sipas Mexhitit, përbëjnë një bazë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave.
Në takim u diskutua mundësia e binjakëzimit të Komunës së Çairit me Vakaricin, si dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta kulturore me qëllim të promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët shqiptare.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe tema me rëndësi për shqiptarët në Shkup, përfshirë përdorimin e emrave shqip të rrugëve në Çair dhe Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në vend.
Mexhiti vlerësoi se vizita e delegacionit arbëresh përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një bashkëpunimi më të qëndrueshëm dhe zhvillimit të iniciativave e projekteve të përbashkëta mes Çairit dhe Vakaricit.
“Me arbëreshët na lidh një histori e gjatë, gjuha dhe një trashëgimi që ata e kanë ruajtur ndër breza. Sot, këtyre lidhjeve duam t’u japim edhe një dimension të ri, përmes bashkëpunimit mes komunave tona”, theksoi Mexhiti.
https://www.facebook.com/share/p/14nH1VB59Ti/
