GazetaMax
Lajme

Ali Ahmeti uron Edi Ramën për rizgjedhjen: Shqipëria europiane, akti më patriotik kombëtar

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për rizgjedhjen në krye të Qeverisë shqiptare. Në një mesazh të ngrohtë, Ahmeti e ka quajtur këtë mandat të ri një mundësi të rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për gjithë rajonin.

“Si vëllau vëllaun, të uroj me uratat më të sinqerta për suksese në zbatimin e programit qeverisës. Ne na ke përkrah, në mbështetje të Shqipërisë europiane dhe të ecjes drejt integrimit të plotë europian”, ka theksuar Ahmeti.

Ai nënvizoi se sot nuk ka akt më patriotik kombëtar se sa Shqipëria europiane, duke kujtuar se më 19 korrik 2022, Tirana dhe Shkupi nisën së bashku negociatat në Bruksel, por Shqipëria tashmë ka hapur shumicën e kapitujve negociues, ndërsa Maqedonia e Veriut ka ngecur në rrugëtimin e saj.

Ahmeti shprehu shqetësimin për rritjen e ndikimit serbo-rus në Maqedoninë e Veriut dhe për cënimin e barazisë etnike përmes devijimeve nga Marrëveshja e Ohrit.

Duke e cilësuar përkushtimin e Ramës dhe të Shqipërisë si shembullor, Ahmeti uroi që ky sukses të shërbejë si nxitje edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që t’i bashkohen Shqipërisë në këtë rrugëtim drejt BE-së.

“Edi, të uroj shëndet e mbarësi në këtë mandat kaq të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të priftë e mbara ty dhe Shqipërinë”, përfundoi Ali Ahmeti.

Related posts

Shpërthen zjarri në pesë lokacione të Kosovës

Gazeta Max

Ali Ahmeti në Top Story: Me hyrjen në BE do kemi ndihma të mëdha

Gazeta Max

Mickoski në takim me ambasadorin kanadez, Norman

Gazeta Max