Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se shkarkimi i Erion Veliajt si kryebashkiak i Tiranë ishte një hap i detyruar, pasi qytetarët nuk mund të drejtoheshin më nga një bashki “kokëkëputur”.
Gjatë mbledhjes me ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste të Tiranës, Rama shpjegoi se kryeqyteti kishte mbetur pa udhëheqës për një periudhë të gjatë, duke krijuar një boshllëk të dëmshëm.
Ai shtoi se vendimi për shkarkimin e Veliajt ishte një hap i vështirë, por të nevojshëm për të hapur rrugën për zgjedhje të reja dhe për të garantuar zhvillimin dhe funksionimin e normal të kryeqytetit.
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi një ditë më parë shkarkimin e Erion Veliajt me 50 vota pro, i cili prej 10 shkurtit 2025 ndodhet në paraburgim pas hetimeve të nisura nga SPAK.
“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, pa kryetarë bashkie të dënuar nga drejtësia të lidhur me detyrën, u detyruam të ndërmarrim një hap të debatueshëm në raport me Erion Veliajn, por të detyruar në raport me bashkinë e kryeqytetit. Këshilli Bashkiak miratoi dje shkarkimin e kryetarit në mungesë prej 7 muajsh për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja. Janë thënë dhe janë llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata që u ka rënë në kokë “Diella” , as me ata që e quajnë diktaturë kur shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi i ndalohet t’i paraqesë programin Kuvendit me britmat famëkeqe të rrylave të fytit dhe bërrylave në sallën e Kuvendit, dhe as me ata që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me luftën e tyre patologjike dhe karikaturat e tyre, që sot fryjnë gjoksin me sebebin e një letre anonime ndaj një kundërshtari.
Një histori drejtësie plot pikëpyetje që nuk duhet të marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë. Tema jonë është të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun në krye të bashkisë, përditë e më të dëmshme, pasi nuk mund të ngrihet dhe ngryset si një trup pa kokë. Tema jonë është se sot, të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë me kandidatin e duhur dhe vizionin e duhur, përkushtimin e duhur, organizimin dhe mbështetjen e duhur, për të marrë rezultatet e duhura”, tha Rama.
Rama theksoi se një nga prioritetet e Partisë Socialiste tani është të sigurojë zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të reja. Ai ka shprehur mbështetje të plotë për kandidaturën e Ogertës, e cila ka marrë mbështetje të gjerë nga strukturat e PS-së.
“Më vjen shumë mirë që kandidatura e Ogertës ka gjetur menjëherë mbështetjen e plotë të familjes sonë të madhe, politike, ku të gjithë e çmojnë kandidaturën tonë për Tiranën dhe janë të mendimit se është radhë e saj për të udhëhequr Tiranën me ambicien dhe qetësinë që e ka karakterizuar. Aq e fortë është mbështetja e PS-së për Ogertën, sa është pa interes se kush do të jenë kandidatët rivali, të cilët do të hyjnë në garë të humbur, por do të dalin nga gara edhe më të humbur”, tha Rama.
Problematikat me të cilat përballet Bashkia Tiranë, Rama: Nevojë për drejtim të ri
Kryeministri Rama foli edhe për disa nga problematikat me të cilat përballet Bashkia e Tiranës. Duke folur për problematikën e ujit të pijshëm, menaxhimin e mbetjeve urbane, transportin urban apo “vetëpastrimin” e vetë bashkisë, Rama tha se kjo e bën edhe më urgjente legjitimitetin e një udhëheqje të re.
“Uji i pijshëm si asnjëherë më parë në këtë periudhë është kthyer në një problem si pasojë e keqadministrimit dhe do ndërhyjnë në drejtim të ujësjellësit të tiranë dhe një reforme më gjithëpërfshirëse për të gjithë vendin ka nisur të marrë jetë duke u konceptuar drejt krijimit të një operatori kombëtar i cili do të funksionojë njësoj si operatori kombëtar i shpërndarjes së energjisë.
Qytetarët kanë shqetësim mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve. Procesi i krijimit të një autoriteti kombëtar për trajtimin e mbetjeve ndërkohë që mbledhja e mbetjeve do të vazhdojë të mbetet detyrë e obligueshme e bashkive, duke mbajtur parasysh që niveli i pastrimit është përmirësuar mjaftueshëm por jo ndjeshëm.
Shqetësim që duhet adresuar janë kërkesat për kopshtet dhe çerdhet publike rritet shumë më tepër nga sa rritet oferta. Është e mundur dhe kemi filluar që të përcaktojmë disa kritere për të gjithë ato që kontribuojnë në Tiranë, por duhet që këtë proces ta udhëhiqi bashkia, apo edhe shkollave të reja.
Qytetarët duan zgjidhje edhe për cilësinë e transportit urban në Tiranën e madhe, jo vetëm në pjesën urbane të qytetit por edhe në atë rurale ku ka problematika serioze.
Situata problematike janë edhe me të prekurit nga tërmeti, ose të tjerë që kanë pretendime që lidhet me regjistrimin si të tillë, apo kantiere që kërkojnë financime të reja që nga Kombinati deri te 5 maji. Bashkia nën drejtin e kryetares në detyrë ka bërë gjithçka që ka mundur në kushte të vështira që operon, por nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e bashkisë me votën e popullit është urgjente. Mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik, për të kuptuar që aty ka nevojë për legjitimitet dhe nuk mundet të presë më gjatë.
Shtuar edhe domosdoshmërinë për një proces katarsi të vetëpastrimit të Bashkisë Tiranë dhe kjo kërkon legjitimitetin e udhëheqësisë së re të bashkisë që të mos kemi më situata, ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo drejtues të njësive vendore. Kjo është e tmerrshme dhe ne do e adresojmë në paketën re që do kalojmë në qeveri që sjell ndëshkime penale për ata që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe shkelin ligjin”, tha Rama.