Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar ashpër qeverisjen e VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit, duke theksuar se kjo parti në katër vitet e fundit ka sjellë vetëm kaos dhe bllokim si në nivel qendror, ashtu edhe lokal.
“Shkupi po mbytet në kaos, papastërti dhe bllokadë institucionale. Të kota janë përpjekjet e Mickoskit për t’u arsyetuar e distancuar – shkupjanët shohin dhe ndjejnë se janë mashtruar,” theksoi Filipçe.
Ai shtoi se për shkak të kalkulimeve të Mickoskit dhe koalicionit të dështuar me Danela Arsovskën, nuk është realizuar asnjë masë e rëndësishme dhe asnjë projekt për kryeqytetin. “Edhe në Komunën e Aerodromit ndihet qartë zhgënjimi i qytetarëve,” tha lideri i LSDM-së.
Filipçe paralajmëroi se në vend të përgjegjësisë, Mickoski përsëri ofron Orce Gjorgjievskin – “një të bindur partiak që do të punojë sipas urdhrave të qendrës së partisë”.
“Shkupi rrezikon të bjerë në një partizim brutal nga VMRO-DPMNE, nëse qytetarët nuk e njohin mashtrimin,” tha Filipçe, duke bërë thirrje për mbështetje masive ndaj Kaja Shukovës, kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit.
“Shukova është profesioniste e dëshmuar me integritet, e pavarur dhe e përgjegjshme. Ajo ka projekte të qarta dhe të realizueshme, sidomos në fushën e higjienës dhe infrastrukturës, me të cilat Shkupi do ta rifitojë shkëlqimin e tij,” përfundoi Filipçe.