GazetaMax
Lajme

Kryeprokurori i Bangladeshit kërkon 1.400 dënime me vdekje për ish-kryeministren Sheikh Hasina

Prokurorët në Bangladesh kanë kërkuar që ish-kryeministrja e vendit, Sheikh Hasina, të dënohet me vdekje për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave të udhëhequra nga studentët vitin e kaluar, me të cilat ajo u rrëzua nga pushteti.

Hasina, e cila ka ikur në Indi, është duke u gjykuar për krime kundër njerëzimit. Sipas një audio-incizimi të rrjedhur, ajo i kishte urdhëruar forcat e sigurisë që të “përdorin armë vdekjeprurëse” kundër protestuesve. Sidoqoftë, ajo i ka mohuar akuzat, raporton televizioni BBC.

Deri në 1.400 njerëz u vranë gjatë trazirave që morën fund me përmbylljen e pushtetit 15-vjeçar të Hasina-s. Kjo ishte dhuna më e rëndë në Bangladesh që nga lufta e vendit për pavarësi nga Pakistani më 1971.

Kryeprokurori Tajul Islam tha se Hasina meriton 1.400 dënime me vdekje. “Pasi kjo në aspektin human nuk është e mundshme, ne kërkojmë të paktën një” – tha ai, transmeton gazeta “Nacionale”.

“Qëllimi [i Hasina-s] ishte që të qëndronte në pushtet në mënyrë të përhershme, për veten dhe familjen. Ajo është shndërruar në një kriminele të thekur dhe nuk shfaq keqardhje për brutalitetin që e ka kryer” – tha në gjykatë kryeprokurori Tajul Islam.

Protestat filluan në korrikun e vitit 2024 kundër kuotave në vendet e punës në shërbimin civil për të afërmit e atyre që kishin luftuar në luftën e vitit 1971, por shpejt u përshkallëzuan në një lëvizje masive për ta rrëzuar nga pushteti Hasina-n.

Disa nga skenat më të përgjakshme ndodhën më 5 gusht të atij viti, ditën kur Hasina u largua me helikopter para se turma të futej në rezidencën e saj në Daka, sipas një hulumtimi të BBC-së.

Policia vrau të paktën 52 njerëz atë ditë në një lagje të ngarkuar të kryeqytetit të vendit, duke e bërë njërin nga rastet më të rënda të dhunës policore në historinë e Bangladeshit.

Avokati i Hasina-s, i emëruar nga shteti, argumenton se policia ishte e detyruar që të hapte zjarr si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të dhunshme nga protestuesit.