Lavdrim Kasami, pak para se kombëtarja shqiptare U19 të zhvillojë tre ndeshje të rëndësishme kualifikuese për Evropianin, po stërvitet me një nga akademitë më të mira të futbollit në veri – U19 e Lyngby Boldklub.
Talenti i ri shqiptar Lavdrim Kasami po kalon një periudhë të rëndësishme në karrierën e tij. Mesfushori i Shkëndijës është aktualisht në Danimarkë, ku po stërvitet me ekipin U19 të Lyngby Boldklub, një nga akademitë më të respektuara në rajon për zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Ky bashkëpunim vjen në një moment vendimtar për Lavdrimin, pasi përfaqësuesja shqiptare U19 po përgatitet për tre ndeshjet e ardhshme të kualifikimeve për Kampionatin Evropian dhe forma e tij aktuale është një sinjal pozitiv për stafin teknik të kombëtares.
“Është një mundësi fantastike dhe ky klub ka një histori të madhe në zhvillimin e lojtarëve të rinj që më pas bëhen emra të mëdhenj,” – tregon Lavdrim Kasami.“Kam filluar stërvitjet që nga e hëna dhe jam pritur shumë mirë. Po mundohem të tregoj anën time më të mirë dhe të ndihmoj skuadrën aty ku ka nevojë. Këtu në Lyngby, ka lojtarë shumë cilësorë dhe jam i lumtur që mund të mësoj nga ta.”
Në fushë, Lavdrim po dallohet për qetësinë me topin, inteligjencën taktike dhe përkushtimin në çdo seancë stërvitore. Trajnerët vlerësojnë aftësinë e tij për të lexuar lojën dhe për të mbajtur ekuilibrin në mesfushë – cilësi që janë të rralla për një lojtar të kësaj moshe.
“Gjithmonë hyj në fushë me mentalitetin që t’ia bëj të vështirë trajnerit, qoftë të klubit apo të kombëtares, kur vjen puna për të zgjedhur formacionin,” – shton ai, me buzëqeshje.
Nëse vazhdon me këtë ritëm dhe qasje profesionale, Lavdrim Kasami mund të bëhet një emër që do të dëgjohet shpesh, si në futbollin danez ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Për momentin, fokusi i tij mbetet i qartë: të japë maksimumin çdo ditë dhe të ndihmojë aty ku ekipi ka më shumë nevojë — një qasje që e bën tërheqës si për Lyngby BK, ashtu edhe për kombëtaren shqiptare U19.

