Në raportin më të fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut, Drejtoria e Doganave është vlerësuar si një nga institucionet me progresin më të madh në Unionin Doganor, duke u cilësuar si “një shembull i suksesshëm i reformave efikase dhe integrimit të përshpejtuar në tregun e vetëm të BE-së”.
Sipas Zv. Drejtorit të Doganave, Mustafa Dauti, rezultatet historike janë pasojë e një pune të përkushtuar, modernizimit teknologjik dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët evropianë.
“Ky raport është dëshmi e përpjekjeve tona për një administratë moderne, transparente dhe efikase. Drejtoria e Doganave është plotësisht e përkushtuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian,” – theksoi Dauti.
📈 Rezultatet kryesore:
Përparim i lartë në harmonizimin me legjislacionin e BE-së dhe përmirësimin e sistemeve TIK. Janë përfunduar dhe vënë në funksion platformat NKTS 5 dhe EORI 2, si dhe menaxhimi i unifikuar i përdoruesve me nënshkrim digjital.
Rritje e të ardhurave: gjatë vitit 2024, të ardhurat totale të Drejtorisë së Doganave u rritën me 6.3% krahasuar me vitin 2023, duke e kaluar vlerën prej 2 miliardë eurosh.
Forcim i kapaciteteve operative: u miratua Strategjia për Zhvillimin e Drejtorisë së Doganave 2025–2027, u vendos sistem i plotë inteligjence dhe u rrit numri i rasteve të konfiskimeve.
Luftë aktive kundër korrupsionit: u miratua Strategjia për Integritet dhe Luftë kundër Korrupsionit 2024–2027, me 22 masa të shënjestruara për transparencë dhe efikasitet.
Mbrojtje e të drejtave të pronësisë intelektuale: vetëm në vitin 2024 janë konfiskuar 147.525 mallra në 73 raste, për shkak të dyshimit për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Bashkëpunim rajonal: u nënshkrua Memorandum bashkëpunimi me Drejtorinë e Doganave të Malit të Zi, për kontrolle më efikase dhe përshpejtim të tregtisë legale.
Këto rezultate e pozicionojnë Drejtorinë e Doganave si një institucion kyç në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik të vendit, duke dëshmuar se reformat e thella japin rezultate konkrete në terren.

