GazetaMax
Lajme

Aksioni “72 orë Shkup i pastër” nisi edhe në Çair, Mexhiti: Po punojmë natë e ditë që qyteti të kthehet në normalitet

Nga sheshi përpara Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” nisi sonte aksioni i madh për pastrimin e kryeqytetit me moton “72 orë Shkup i pastër”, ku janë angazhuar dhjetëra kamionë, cisterna dhe mjete të tjera mekanike që po intervenojnë në të gjitha pjesët e qytetit.

Në terren, nga komuna e Çairit, ndodhet edhe kryetari Izet Mexhiti, i cili ndjek nga afër punimet në njërën prej pikave aktive në rrugën Ferid Murati.

Ai theksoi se pastrimi po zhvillohet në mënyrë intensive në të gjitha komunat e Shkupit, përfshirë edhe Çairin, me qëllim që brenda tre ditëve qyteti të jetë i pastër dhe situata të mbahet nën kontroll.

“Këtu jam në vendngjarje në rrugën Ferid Murati, ku është një prej pikave të punës në këto orë të vona. Dua të falënderoj ndërmarrjet komunale që janë në funksion me rreth 200 kamionë për gjithë qytetin e Shkupit dhe komunat përreth. Është një aksion i përgjithshëm për pastrimin e Shkupit. Sot punohet edhe në Çair për të kapur afatin prej tre ditësh që qyteti të jetë i pastër, dhe më pas të mbahet nën kontroll situata”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se ekipet do të vazhdojnë edhe me larjen dhe klorizimin e rrugëve e lokacioneve publike, për ta rikthyer pastërtinë në nivelin e duhur.

“Falenderoj të gjithë punëtorët që në këto orë të vona po kthejnë gjendjen në normalitet. Pastrimi është domosdoshmëri dhe çështje shëndeti publik. Do të vazhdojmë pandërprerë deri sa Shkupi të marrë pamjen që e meriton”, shtoi më tej Mexhiti.